IDE, 23 Korrik 2022, 17:23

Muri Anglo-Amerikan për Berishën dhe muri i Berishës për opozitarizmin

Muri Anglo-Amerikan për Berishën dhe muri i Berishës për

Tani që izolimi i Sali Berishës u zgjerua, dyshimet mbi opozitën zyrtare rriten. Nëse, më 25 prill 2021, pakënaqësia ishte e pamjaftueshme për ta hequr Edi Ramën, sot pakënaqësia mund të jetë më e madhe, duhet të përballet edhe me Perëndimin. A do mjaftojë pakënaqësia për të harruar Sali Berishën e 2009 – 2013, për të refuzuar joshjen e parave që hidhen pa kursim në zgjedhje, për të sfiduar presionin politikë-krim-shtet-biznes dhe, në fund, për të tejkaluar izolimin e aleatëve të mëdhenj të Shqipërisë?

Fati i opozitës ishte që të qeverisej për 8 vjet nga një lidership i paaftë për ta rrëzuar Ramën, që përpëlitej mes radikalizmit dhe marrëveshjeve të ligjshme dhe okulte, me iluzionin e pushtetit që vjen vetë, po të kapësh vendin e duhur në partinë e duhur.

Fati i sotëm është rikthimi tek e shkuara që, me harrimin e viteve, duket më e mirë se e tashmja, besimi se do të kthehemi te ditët e këqija për të shpëtuar nga ditët më të këqija që pasuan dhe një insistim ndërkombëtar për t’i thënë jo nostalgjisë, pse jo i yshtur nga Rama me të gjitha mjetet që ai di të përdorë.

Fati i opozitarizmit bëhet tragjik, i shtypur nga një regjim kleptokratik dhe i kapur nga një opozitë që e la pushtetin në instalim e sipër të një pushteti kleptokratik. Opozitarizmi është sot mes dy armiqve, pushteti totalitar dhe opozita e izoluar dhe pa kredo morale.

Ndihmat Anglo – Amerikane, nuk ngjajnë me zbarkimin në Normandi në D- Day, por me parodizimin që regjimi komunist u bënte ndihmave nga ajri. Amerikanët hodhën këpucën e djathtë, për rivitalizmin e së djathtës, të opozitës. Pasi kjo dështoi, anglezët hodhën një tjetër këpucë të djathtë.

Më shumë se për largimin e Berishës, më shumë se për t’i dhënë një mundësi opozitarizmit, po ndihmon Edi Ramën të përcajë më keq kundërshtarët, ndihmon një regjim thuajse të instaluar të lëshojë më pak liri politike, të justifikojë abuzimet me opozitën “non grata”, të intensifikojë korrupsionin me alibinë e një opozite - denoncuese të pabesueshme.

Ndërsa Sali Berisha është në të drejtën e tij, të kërkojë votëbesimin e anëtarësisë për të ndjekur rrugën e rivendosjes së dinjitetit, opozitarizmi nuk e ka komoditetin të investohet te kjo opozitë. Kjo do të shërbente vetëm për shfryrjen e dufit, për shpalosjen e shpejtë të pakënaqësisë duke shfrytësuar infrastrukturën e një partie të vjetër, që nuk i ka më kushtet për të çuar në eleminimin e rrezikut nga diktati i korrupsionit.
Sali Berisha e kishte mundësinë që pas 6 marsit të niste një proces rindërtimi të PD- së. Me statusin e Patriarkut mund të nxiste përfshirjen e rrymave opozitare brenda opozitës së tij, të nxiste faktorët opozitarë të afërt në ideologji dhe bindje për t’u përfshirë në PD, me qëllimin që në vjeshtë të përfundonte ndërtimi i një partie të re, me imazh të ri dhe Kryetar të ri.

Në vend të kësaj, ndërtoi një celulë personale, që, duke mbledhur zemërimin ndaj qeverisë, shpreson ta sjellë në pushtet pa ofertë, si të vetmen mundësi për rindërtimin e imazhit personal.

Edhe nëse kjo ndodh, kush i garanton shqiptarët se ardhja e PD- së në pushtet, e heq izolimin ndërkombëtar të liderit të saj, të forcës që ai drejton dhe të qeverisë që do të kontrollojë? Kush garanton që beteja e tij e dëshpëruar për Drejtësi nuk shndërrohet në problemin e gjithë shqiptarëve, në kosto për vendin?

Kjo është një betejë e pabarabartë, që një opozitë e konsumuar me figura të provuara nuk mund ta fitojë.

Sali Berisha mund të jetë pa faj për ato që akuzohet nga SHBA dhe Britania e Madhe, derisa një proces i drejtë gjykimi ligjor apo të paktën publik, të vërtetojë të kundërtën. Por, nëse kjo betejë rëndon mbi shqiptarët, nëse do të vazhdojë të zërë hapësirën opozitare derisa të gjejë Drejtësi, bëhet fajtor përpara shqiptarëve dhe pa dashje aleat i regjimit./Dosja.al