AKTUALITET, 21 September 2026, 12:08

Detaje/ Mësuesi 31-vjeçar nga Dibra u nda nga jeta duke peshkuar, dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike

Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Dibër pasi 31-vjeçari i identifikuar si Ervis Kaloshi humbi jetën duke peshkuar në lumin Setë.

Dyshimet e para janë se i riu humbi jetën pasi, teksa ishte me shokët e tij duke peshkuar në lumë, ai ra në kontakt me rrymën elektrike duke e lënë atë të vdekur në vend.

I riu ndër vite ka punuar si mësues në shkolla të ndryshme të zonës së Dibrës, ndërsa së fundmi ai jepte mësim në shkollën 9-vjecare Grykë – Nokë.

Siç mund ta shikoni dhe në foton e mëposhtme të siguruar nga burimet, ky është mësues Ervisi, i cili dje u nda tragjikisht nga jeta, duke lënë pas një dhimbje të pashërueshme për familjarë, miq e kolegë të tij.

Zemërthyer për largimin e Ervisit kanë reaguar dhe zyra vendore arsimore në Dibër, të cilët kanë shprehur dhe ngushëllimet e tyre për humbjen tragjike të mësuesit të ri.

“Ndarje nga jeta e një mësuesi të nderuar! Me hidhërim të thellë mësuam lajmin tragjik  për ndarjen nga jeta në një moshë shumë të re të mësuesit Ervis Kaloshi.

Për vite me radhë ka punuar si mësues i shumë shkollave të Dibrës ku vitet e fundit ka qenë mësues në shkollën 9-vjecare Grykë - Nokë , duke përcjellë dije,dashuri dhe vlera njerëzore tek brezat e rinj. Kontributi dhe përkushtimi i tij do të mbeten të gdhendura në kujtesën e kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.

Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Dibër i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe nxënësve për këtë humbje të dhimbshme. U prehtë në paqe dhe kujtimi i tij qoftë i përjetshëm!” shkruhet në postimin e bërë nga ZVA e Dibrës.