AKTUALITET, 7 Korrik 2020, 08:44

Humb jetën një ushtar amerikan në Kosovë, nisin hetimet

Humb jetën një ushtar amerikan në Kosovë, nisin hetimet


Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi të hënën mbrëma se një pjesëtar i forcave amerikane që shërbente në kuadër të trupave paqeruajtëse në Kosovë ka humbur jetën.

Sipas njoftimit, ushtari Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, ka humbur jetën në një incident që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur më 4 korrik, në kampin në Novosellë në Kosovë.

Departamenti i Mbrojtjes tha se incidenti është duke u hetuar, por nuk dha më shumë hollësi rreth vdekjes së pjesëtarit të Gardës Kombëtare të Oregonit. Njësitë ku shërbente ai u vendosën në Kosovë në fillim të muajit mars të këtij viti.

Aktualisht më pak se katër mijë trupa, nga të cilët rreth 640 ushtarë amerikanë shërbejnë në kuadër të misionit të drejtuar nga NATO-ja në Kosovë.

Muajin e kaluar u shënua përvjetori i 21-të i hyrjes së trupave të NATO-s që i dhanë fund luftës në Kosovë që la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur.

Mbi 200 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.

/ Zëri i Amerikës