TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas votimit në parlamentin Hollandez, për rikthimin e vizave për Shqipërinë, ka reaguar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në këtë reagim, ajo që vihet re, është fakti se ministria, jo vetëm që nuk ka reflektuar pas këtij votimi, por në deklaratë thuhet se "asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë". Pra, në këtë rast, sipas MPEJ, parlamentarët hollandezë kanë gabuar dhe do të dorëzojnë në Komisionin Europian një kërkesë të pabazuar në legjislacionin e Bashkimit Europian.
"Nje shtet anëtar i BE mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë. Gjithësesi është Komisioni Evropian që do të shqyrtonte kërkesën dhe do t’i jap përgjigje asaj. Duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk eshte plotësuar në rastin e Shqipërisë", thuhet në deklaratë.
Ministria gjithashtu ka gjetur kohë të ironizojë votimin e parlamentit të Hollandës, duke e quajtur "klishe elektorale", pra të ndikuar nga klima elektorale dhe jo një vlerësim objektiv.
"Klima elektorale në Hollandë padyshim ka ndikimin e vet dhe edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë ne agjendën e partive në garë, s’kemi asnje dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve evropiane faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale", thuhet në deklaratë.
Arsyet e votimit të sotëm të Parlamentit të Hollandës, lidhen me aktivitetin kriminal të mafias shqiptare në këtë vend. Sipas parlamentarëve hollandezë, mafiozët shqiptarë, duke keqpërdorur lëvizjen e lirë, po zmadhojnë rrjetet e tyre të trafiqeve. Votimi i sotëm, është mjaft shqetësues, edhe për faktin se paralajmëron një votë kundër të Hollandës, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Por, me sa duket, qeveria shqiptare, vijon të jetë e pa shqetësuar për këtë ngjarje mjaft negative, sa i përket një nga arritjeve të pakta të Shqipërisë, siç është lëvizja e lirë në zonën Schengen.
/TPZ.al/