TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i SPAK, Arben Kraja është shprehur se struktura e re e drejtësisë ka shumë sfida përpara dhe se akoma nuk është aty ku duhet nga pikëpamja e formimit të saj.
Gjatë fjalës së tij në konferencën “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi”, Kraja u shpreh se ka nevojë për bashkëpunim midis SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
“Ka shumë sfida, ka shumë problematika që janë përpara. Sfidat kryesore kanë të bëjnë me pastrimin e produkteve të veprës penale, hetimin e aseteve kriminale, me krimin financiar në përgjithësi. Pavarësisht se jemi prokurori me Kushtetutë të pavarur, jemi të pavarur në vendimmarrje, jo në metodika, qëllime, jo në objektiva. Kemi nevojë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin.
Prokuroria e Përgjithshme ka asete, një eksperiencë që ne kemi nevojë ta shfrytëzojmë, pa i cenuar vendimmarrjen askujt nga prokurorët.
SPAK është strukturë e re, është një nga reformat e drejtësisë. Akoma nuk është aty ku duhet nga pikëpamje e formimit të saj. Fillimi është i mirë, ka shumë sfida përpara, me plotësimin e strukturës, me ngritjen e strukturës nga pikëpamja administrative dhe funksionale, por kryesoja ka të bëjë me rritjen e rezultateve konkrete në hetim,”-tha Kraja.
Kreu i SPAK garantoi njerëzit që presin rezultate se prokurorët do jenë jo vetëm të pavarur në dhënien e vendimeve të tyre por edhe të përgjegjshëm.
Por shtoi se kjo kërkon kohën e duhur dhe se prokurorëve u duhen krijuar kushtet për realizimin e hetimeve sa më shpejt.
“Të gjithë njerëzit presin rezultate por dua t’jua garantoj diçka se prokurorët e SPAK janë jo vetëm të pavarur por edhe të përgjegjshëm. Kjo do të thotë se kur të merret një vendim do të jetë i matur dhe bazuar në prova, si edhe nuk do të ketë diskutime të mëtejshme.
Kjo kërkon kohën e duhur, këtë duhet ta kuptojmë njerëzit. Hetimet kërkojnë edhe 2-3 vite.
Nuk do jemi në këtë histori por do të jemi konkret në kohën e duhur, këtë jua garantoj këtë sepse gjithë prokurorët e kanë këtë objektiv tek vetja. Ajo që duhet të bëjmë është t’u garantojmë kushtet,”-përfundoi Kraja.