TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sillej si avokat dhe premtoi lirimin e një të burgosuri. Gjykata e Tiranës ka dënuar me tre vite burg shtetasin Gjergji Lami për mashtrim.
Por duke iu referuar vendimit të Gjykatës, ky nuk është rasti i parë që ky shtetas kishte përfituar të ardhura nëpërmjet mashtrimit dhe në përfundim u gjet fajtor për mashtrim më shumë se një herë.
Rasti i parë për të cilin u gjykua dhe dënua ka nisur në vitin 2017, ku duke përfituar nga besimi i shtetasit V. Dyrmishi i ka marrë këtij të fundit shumën prej 15 mijë eurosh.
Duke iu referuar dëshmisë së të dëmtuarit, disa kohë më vonë, ai e kishte detyruar të pandehurin të firmoste dhe një kontratë noteriale për borxhin, por edhe pas kësaj, nuk kishte arritur të merrte lekët e tij, duke iu drejtuar organeve për të bërë denoncim.
Por historia e mashtrimeve, sipas Prokurorisë, nuk është mbyllur me këtë rast, pasi në janar të 2019-ës, një tjetër shtetase ka bërë denoncim për grabitje me anë të mashtrimit për shtetasin “Bujar Muça”, avokat.
Sipas hetimeve rezultoi se në fakt avokati Muça ishte Gjergji Lami, i cili me anë të një telefonate me një shtetase shqiptare që ishte në Itali, i thoshte se ka marrë përsipër mbrojtjen e djalit të saj, që ishte arrestuar për vjedhje dhe si fillim duhet t’i dërgonte 300 euro.
Ditë më vonë, në besim për shkak edhe të dërgimit të kopjeve të kartave të identitetit për dërgimin e lekëve, kjo shtetase i ka dërguar edhe 2 mijë euro, duke bërë kallëzim, pasi mësoi se ishte mashtruar.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, i zhvilluar me procedurë të shkurtuar, Gjykata e Tiranës ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burg, dënim që është ulur në 3 vite, për shkak të llojit të gjykimit. “Deklarimin fajtor të të pandehurit Gjergji Lami për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit’ më shumë se një herë, dhe në baze të nenit 143/2, të Kodit Penal, e dënon atë me 4 (katër) vjet dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në zbatim të nenin 406 të Kodit të Procedurës Penale, pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri Gjergji Lami dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej 3 (tre) vitesh burgim”, shkruhet në vendim.
PROKURORIA
“Rezulton nga aktet se në datën 16.07.2018, është paraqitur pranë shërbimeve policore shtetasi V. Dyrmishi (viktima e veprës penale), i cili ka kallëzuar ngjarjen si vijon, që përbën edhe faktin penal objekt të këtij shqyrtimi gjyqësor.
Kështu, sipas kallëzuesit, ai punon në qytetin e Durrësit dhe në rrethana rastësore është njohur me të pandehurin Gjergji Lami, nëpërmjet një miku të tyre të përbashkët P. Sh. Në rrethanat e njohjes si më sipër, në dhjetor të vitit 2017, i pandehuri i ka kërkuar kallëzuesit V. Dyrmishi një shumë prej 15.000 eurosh, me arsyetimin se i duheshin në mënyrë të ngutshme për një problem ndërtimi duke i pohuar se shumën e mësipërme do t’ia kthente brenda 1 muaji, si edhe do t’i shpërblente nderin që ai po i bënte. Duke krijuar besim tek i pandehuri, kallëzuesi V. Dyrmishi i dha shumën e mësipërme, ku pas kësaj, ai humbi çdo lidhje me të, duke bërë kështu që shuma e mësipërme të mos i kthehej të dëmtuarit”.
KONTRATA E PARESPEKTUAR
“Nisur nga shqetësimi i mësipërm, kallëzuesi V. Dyrmishi pohon se pas rreth 6 muajve, ai është takuar me të pandehurin dhe me shumë vështirësi e ka bindur atë të nënshkruajë një deklaratë noteriale, ku i pandehuri zotohej se do kthente shumën prej 15.000 eurosh deri në datën 13.07.2018.
Por, edhe pas kësaj date, i pandehuri iu shmang përmbushjes së detyrimit, duke bërë në këtë mënyrë që i dëmtuari V. Dyrmishi, i ndierë i mashtruar prej të pandehurit Gjergji Lami, t’i drejtohet organeve policore”. MASHTRIMI 2 “Duke cilësuar veprën penale për të cilën i pandehuri Gjergji Lami akuzohet, atë të ‘Mashtrimit’ të kryer më shumë se një herë, organi i akuzës i bën prezent kësaj Gjykate edhe episodin e radhës si vijon: Rezulton nga aktet se në datën 14.01.2019, është paraqitur pranë shërbimeve policore shtetasja R. Prenga (viktima e veprës penale), e cila ka kallëzuar ngjarjen si vijon, që edhe ky episod përbën faktin penal objekt të këtij shqyrtimi gjyqësor. Kështu, sipas kallëzueses, ajo jeton në Itali dhe në datën e mësipërme, ka paraqitur një kallëzim penal ndaj shtetasit Bujar Muça, me detyrë avokat në Tiranë, duke e akuzuar atë për veprën penale të vjedhjes me anë të ‘Mashtrimit’ në shumën 2300 euro”.
PREMTIMI
“Sipas akteve, djali i kallëzueses M. Prenga, në datën 08.12.2018, është arrestuar në Tiranë për veprën penale të vjedhjes, fakt të cilin kallëzuesja e mësoi nga e bija e saj, edhe kjo në Itali, ku në numrin e saj të telefonit 00393287041XXX, në ‘Whatsaapp’, i telefonon një person që prezantohet si avokat Bujar Muça, ku i merr përsipër mbrojtjen e shtetasit M. Prenga, fakt për të cilin atij duhej t’i dërgohej fillimisht një shumë prej 300 eurosh në numrat e llogarive bankare të shtetasve Gjergji Lami dhe V. Lami, për të cilat telefonuesi dërgoi edhe dy kopjet e kartave të identitetit.
Duke sjellë besim në sa më sipër, shtetasja M. Muça i dërgon në datën 10.12.2018 shtetasit Bujar Muça, shumën prej 300 euro, nëpërmjet bankës. Në vijim, i pandehuri Gjergji Lami duke u prezantuar tek shtetasja M. Prenga si avokat Bujar Muça, i ka marrë asaj, si në mënyrën e sipërcituar, edhe 2000 euro të tjera, me arsyetimin se do t’i nxirrte vëllamë nga burgu”.
ZBULIMI
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, është mundur të mësohet se i pandehuri Gjergji Lami, pasi ka mësuar se shtetasi M. Prenga është mbrojtur me një avokat kryesisht në gjykim dhe konkretisht shtetasen G. Buci, pasi ka mësuar prej saj edhe rreth çështjes së të gjykuarit M. Prenga, madje edhe duke u prezantuar tek ajo si njeri i afërt i të gjykuarit, ai e ka pajisur atë dhe me një prokurë nga bashkëshortja B. Prenga.
Pikërisht pas kryerjes së veprimeve të mësipërme, i pandehuri është lidhur me familjarët e tij në Itali duke u prezantuar si avokat Bujar Muça dhe duke sjell bindje tek ata se po ndihmonte të gjykuarin M. Prenga. Ai ka mundur të vjedhë me anë të mashtrimit shumën prej 2300 eurosh të dhëna prej shtetases R. Prenga, nëpërmjet së bijës. Të ndierë të mashtruar rreth veprimeve të të pandehurit, të dëmtuarit V. Dyrmishi dhe R. Prenga i janë drejtuar organit të akuzës me kallëzimin penal të sipërcituar, organ ky i cili ka filluar procedimin penal ndaj të pandehurit Gjergji Lami, duke e akuzuar atë për veprën penale të ‘Mashtrimit’, kryer më shumë se një herë.
I dënuari, i përfshirë në vjedhjen e një gjeneratori
“Shtetasi Gjergji Lami rezulton i përfshirë në një ngjarje tjetër në vitin 2013 dhe është dënuar për vjedhjen e një gjeneratori.
“Vepra penale e vjedhjes, në çështjen në gjykim është kryer nga të pandehurit në bashkëpunim, me veprime aktive. I pandehuri Gjergji Lami e njihte kallëzuesin prej 3 muajsh dhe ka identifikuar gjeneratorin që do të vidhte.
Ai është ndihmuar nga i pandehuri Roland Topi, bashkëpunëtori i tij, i cili e ka fshehur në fshatin Jubë të Vorës dhe më pas e ka transportuar me kërkesë të të pandehurit Gjergji Lami, duke e kthyer tek i zoti, sepse kallëzuesi B. Buçpapaj kishte akuzuar që në fillim të pandehurin Gjergji Lami se i kishte vjedhur gjeneratorin dhe se duhej t’ia kthente. Në këto kushte, rezulton se kjo vepër penale është tërësisht e konsumuar”.