AKTUALITET, 3 Mars 2020, 13:23

Vajza e Azem Hajdarit: Nuk duhet të dalim nëpër sheshe...

Vajza e Azem Hajdarit: Nuk duhet të dalim nëpër sheshe...


Deputetja Rudina Hadjari pas mbledhjes për Reformën Zgjedhore ka deklaruar se nuk duhet të dalim nëpër sheshe dhe të ulërasim, por të marrin hapa konkrete për Reformën Zgjedhore, duke i dhënë kështu një mesazh presidentit Ilir Meta për manifestimin e djeshëm.

“Kishim për të diskutuar mbi temën e propozimeve që do të kishim në tryezë për ndryshimin e sistemit, por u shty me konsensus, në 6 mars.

Dua të theksoj se vendosmëria ime dhe e opozitës së re vazhdon dhe do të bëjmë propozimet.

Ne duhet të zbatojmë nenin 2 të kushtetutës, atë të sovranit. Nuk duhet të dalim nëpër sheshe dhe të ulërasim por duhet të marrim hapa konkrete. Ne duhet të tregojmë popullit se jemi këtu për ata dhe se nesër përfaqësimi i tyre do të jetë i denjë.

Uroj që javës tjetër të vijojmë misionin për hapjen e listave për një sistem të barabartë për të gjithë”, u shpreh ajo.

Partia Demokratike së fundmi ka propozuar në Këshillim Politik disa propozime për financimin e partive politike . Sipas draftit të PD, burimet e financimit të fushatës për subjektet zgjedhore janë fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore.

TRYEZA E ZGJEDHORES

Më 14 janar opozita dhe maxhoranca arritën në një konsensus për Reformën Zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që reforma të bëhet me konsensus dhe të ‘nxirret’ nga Kuvendi, për të marrë pjesë dhe opozita jashtëparlamentare.

Tryeza e parë e palëve për Reformën Zgjedhore themeloi dhe Këshillin Politik, që përbëhet nga Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Katër anëtarët e Këshillit Politik janë mbledhur disa herë, ku kanë miratuar dhe një kalendar për punën e tyre që do zgjasë deri më 15 mars, ditë kur duhet votuar dhe Reforma Zgjedhore.

Këshilli Politik, bashkë me ekspertët brenda dhe jashtë partive si dhe me ndihmën e OSBE-ODIHR do të diskutojnë dhe do gjejnë zgjidhje për 13 tema, përfshirë këtu edhe dekriminalizimin dhe burimet e financimit, por dhe sistemin zgjedhor.