TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ftuar në emisionin “Interaktiv” në televizionin Koha Vizion, ka folur për përplasjet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Duke u ndalur tek vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama ai thotë se është përshëndetur edhe me të gjatë shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Pavarësisht kësaj, Haradinaj thotë se nuk ka pasur rast të sqarohet me të për mosmarrëveshjet pas Samitit të Berlinit.
“Unë i përshëndeta publikisht edhe kryeministrin Rama dhe presidentin Meta, është mirë që kanë ardhur. Nuk kam pasur rast të sqarohem. Unë e pata ftuar edhe në hapjen e Autostradës “Arbën Xhaferi,” ai më pati premtuar që do të vijë, por nuk erdhi, pastaj nuk kam pasur rast”, ka thënë ai.
Duke u ndalur tek etiketimet e bëra ndaj njëri-tjetrit në distancë, theksoi se nuk duhen marrë si të tilla.
“Etiketimet nuk duhet me i marrë si të tilla. Unë mund të ia konfirmoj opinionit që kam shprehur respekt dhe mbështetje për të majtën, por këto nuk i kam thënë në ndonjë agjendë. Unë e kam treguar një të vërtetë që ka ndodhur në Berlin, e që në mënyra të ndryshme e konfirmuan edhe vet”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka nxjerrë në pah një fakt të rëndësishëm nga Samiti i organizuar në Durrës, kohë kur në krye të diplomacisë shqiptare ishte Ditmir Bushati. Sipas Haradinajt, asokohe Bushati i kishte thënë se nuk mund të dalë e të kundërshtojë idenë e shkëmbimit të territoreve për shkak se “e kam shef Edi Ramën”.
“Ishte samiti i Durrësit dhe erdhi ministri Markoviq, më vonë u bashkua komisionari Hahn dhe në një rast i thash Ditmir Bushatit, ‘i nderuar ministër, si ka mundësi që ju nuk e keni një qartësi në respektim të territoreve të Kosovës dhe si nuk dilni kundër lëvizjes me territore për Kosovën’, ai më tha që ‘unë e kam shef Edi Ramën dhe nga ai varët se sa do të jem në Qeveri’”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se nga këto përvoja e bëjnë që të ketë kujdes.