BALLKAN, 5 Tetor 2017, 17:11

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të vërtetën

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të

"Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t'i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë por edhe partnerëve ndërkombëtarë". Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj. Ai thotë po ashtu se në platformën e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun do të përfshijë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Po ashtu, Haradinaj sqaron edhe arsyet e tërheqjes së Kosovës nga votimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cilat ishin arsyet që Kosova u tërhoq nga anëtarësimi i saj në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTEROPL-i?

Ramush Haradinaj: Vitin që po e përmbyllim ishte vit i ndërprerjeve institucionale, pra shpallja e zgjedhjeve, vonesat në ndërtimin e institucioneve dhe në mungesën e një pune konsistente paraprake. Pra një agjendë jo e qëndrueshme ose e të arriturave jo të konsoliduara në drejtim të anëtarësimit në këto dy institucione ka bërë që ne ta rishqyrtojmë strategjinë tonë deri në anëtarësim. Do të thotë sa i takon INTERPOL-it kemi filluar veç punën për vitin që vjen.

Ndërsa, për UNESCO është pas dy viteve. Por kërkohet një mobilizim më serioz, pra aplikimi ynë dhe hyrja në votim. Ndryshe, hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ishte një precedent jo i mirë për Kosovën, në planin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: A prisni mbështetje nga faktori ndërkombëtar në përpjekjet e juaja që Marrëveshja për demarkacionin të rishikohet edhe njëherë, marrë parasysh kërkesat e faktorit të jashtëm, që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt?

Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tanishme askush nuk ka se si të ndërhyjë, për shkak se është një gjendje e atillë, ku Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e ka kryer obligimin e vet nga një marrëveshje paraprake. Kurse Kosova nuk po arrin ta ratifikojë në Parlament me shpjegimin se të gjeturat janë gabim.

Pra, versioni ekzistues është gabim nga Komisioni (paraprak). Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë po do t'i drejtohem në fillim partnerëve politikë të gjithëve në Kosovë, po edhe partnerëve ndërkombëtarë që të trajtohet kjo temë në përputhje me substancën.

Ekzistojnë proceduara standarde mes vendeve kur kanë konteste të tilla dhe ne nuk bëjmë përjashtim, pra janë vende të BE-së ose vende të NATO-s. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim do t'i respektojmë ato procedura.

Radio Evropa e Lirë