BALLKAN, 28 Shtator 2017, 11:07

Presidenti Thaçi vizitë në Vatikan, mediet serbe ndiejnë “trysni”

Presidenti Thaçi vizitë në Vatikan, mediet serbe ndiejnë

Vizita e Presidentit Thaçi në Vatikan, ditën e sotme, duket një lajm tronditës për mediet serbe të kontrolluara nga shteti. Presidenti i Kosovës, mësohet se do të ketë një audiencë private me Papë Françeskun.

“Shefi i shtetit të rremë, sot në Vatikan”, është kryetitulli i gazetës “Informer”, që shkruan se Thaçi, gjatë takimit me Papën do të kërkojë njohën e Vatikanit.

“Presidenti i shtetit të rremë të Kosovës, Hashim Thaçi sot në audiencë te Papa Françesku do të kërkojë nga Vatikani që ta ndryshojë qëndrimin e vet në lidhje me pavarësinë e Kosovës”, shkruan Informer.

Mediat në Serbi janë alarmuar që Thaçi pas Papës, për herë të tretë do të qëndrojë në Uashington.

"Nga Roma, Thaçi do të vazhdojë për Uashington, në mënyrë që në bashkëbisedim me zëvendës presidentin e SHBA-ve Michael Pence ta lus Amerikën të përfshihet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës", thuhet ndër tjera.

Megjithatë, shefi i diplomacisë Vlladisllav Jovanoviq është mundur t’i qetësojë qytetarët serbë. Ai ka thënë se vizitat e Thaçit nuk do ta përmirësojnë pozitën e Kosovës.

Presidenti Thaçi, sot do të takojë Papa Françeskun, të cilin do ta falënderojë për mbështetjen që i ka dhënë popullit të Kosovës, në periudha të ndryshme, si dhe për rolin e tij në promovimin e paqes.

Ndërkaq, nesër i pari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të udhëtojë drejt Uashingtonit, ku do të takojë zëvendëspresidentit Michael Pence.