TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”. Kështu theksohet në Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, e hartuar nga Komisioni Evropian.
Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare” duke veçuar tre drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.
I një rëndësie parësore për BE-në konsiderohet “forcimi i ndjeshëm i Shtetit ligjor”. Panorama e sotme që vizatohet nga dokumenti paraqitet problematike, ndërsa flitet për “elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një përzierje të fortë mes interesave publike dhe atyre private”, gjë e cila “ushqen një ndjenjë të mosndëshkimit dhe pabarazisë”. Dokumenti flet për ndërhyrje të gjera politike dhe kontroll të mediave. Shteti ligjor, te drejtat themelore dhe qeverisja e mirë konsiderohen si “një pikë kyçe referimi në bazë të së cilës vendet do të gjykohen nga BE-ja”, ndërsa vihet theksi te nevoja për reformat në sistemin gjyqësor që do të sigurojnë “funksionimin e pavarur, cilësor dhe efikas të tij”.
Ekonomia është fusha tjetër e rëndësishme ku sipas BE-së kërkohen transformime rrënjësore. “Sektorët kritik të ekonomive të rajonit janë jo-konkurruese, me shumë ndërhyrje të panevojshme politike dhe një sektor privat të pazhvilluar. Asnjë prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor, aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksionale dhe as të ketë kapacitetin për të përballuar trysninë konkurruese dhe forcat e tregut në Bashkimin Evropian”, vlerëson Strategjia.
Për Bashkimin Evropian ka një rëndësi të dorës parë që para ndërsa vendet e rajonit përgatiten për t’iu bashkangjitur, ato të kenë lënë pas të gjitha problemet mes tyre, përmes zgjidhjeve përfundimtare. “Ende ekzistojnë mosmarrëveshje të rëndësishme dypalëshe midis vendeve të rajonit të cilat mbeten për t’u zgjidhur. BE-ja nuk do të pranojë të importojë këto mosmarrëveshje dhe paqëndrueshmërinë që mund të sjellin”.