AKTUALITET, 22 Prill 2019, 11:20

Grabitja e Rinasit, jepen 12 urdhër ndalime

Grabitja e Rinasit, jepen 12 urdhër ndalime


13 ditë nga grabitja në aeroportin e Rinasit, arrestohet vëllai i Klement Çalës, të konsideruarit krahu i djathtë i Admir Murataj, të vrarë pas grabitjes së 9 prillit. Eldi Çala rezulton të ketë marrë me qira një servis në zonën e Elbasanit, aty ku u modifikua furgoni me të cilin u krye grabitja e 5.7 milionë eurove në aeoportin e Rinasit.

Arrestohen edhe Alkond Bengasi, Saimir Cela (i cili njihet edhe me pseudonimin Tale), Renaldo Sula, dhe F.B. Aksioni vijon, priten ndalime të tjera.

Gati dy javë nga grabitja në pistën e avionëve në aeroportin e Rinasit policia ka vënë në pranga pesë persona prej të cilëve më tej pritet të zbërthehet përfshirja edhe e tetë personave të tjerë që janë në kërkim nga autoritetet. Çështja është konsideruar “top sekret” për shkak se hetimet ende vijojnë për të kapur bashkëpunëtorët e grabitjes së miliona eurove më 9 prill në aeroportin e Rinasit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj.

Aksionet më masive të policisë janë bërë në qytetin e Elbasanit, aty ku një ditë më parë u zbulua servisi ku ishte modifikuar furgoni me mbishkrimin “hetimi Tatimor” me të cilin grabitësit u futën deri në pistë dhe u arratisën më tej me paratë. 100 metra larg këtij servisi në fshatin Karakullak të Elbasanit, në një vilë policia ka marrë në dorë serverin e kamerave të sigurisë së një vile tre katëshe të pabanuar.

Dyshohet se tre prej personave që kanë rënë në prangat e policisë, kanë qenë bashkëpunëtorë në role të ndryshme, ndërsa njëri prej tyre dyshohet të jetë një prej autorëve të cilët kryen grabitjen e 9 prillit. Të arrestuar janë nga Elbasani dhe nga Fushë-Kruja.

Përfshirja totale në grabitjen dhe realizimin e saj mendohet të jetë e 12 personave. Shqiptarja.com raporton se janë lëshuar urdhër ndalime dhe priten arrestime të tjera.