AKTUALITET, 23 Janar 2019, 11:02

Gomonia me drogë në grykëderdhjen e Vjosës, kapen 2 autorët

Pa kaluar as 24 orë nga kapja e gomones me 1 ton drogë në Vjosë, policia ka vënë në pranga autorët. Sipas burimeve zyrtare, falë punës hetimore intensive e të mirëorganizuar nga një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit, Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Lezhë e Elbasan, u bë e mundur zbardhja e tentativës për trafik ndërkombëtar të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike.

Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. A., 39 vjeç dhe E. Xh., 33 vjeç.

Nga tërësia e hetimeve të kryera nga grupi hetimor dyshohet se këta shtetas janë poseduesit e lëndës narkotike që do trafikohej më datën 22 janar, rast i parandaluar dhe goditur gjatë operacionit të koduar “Vjosa”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me GdF-në.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal.