TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Fiksimi – Duke u rikthyer te drejtori teknik, Leonardo pëlqen shumë mesfushorin e Lacios, Sergej MilinkoviçSaviç, një emër që është në axhendën e disa prej klubeve më të mëdha europiane. Presidenti Lotito dhe drejtori Tare nuk dëshirojnë të humbin lojtarin dhe do ta sakrifikonin vetëm për 120 milionë euro. Me UEFA-n që i qëndron mbi kokë, “Djalli” nuk mund të bëjë një shpenzim të tillë, ndaj do të përpiqet të veprojë si me Higuanin. Drejtuesit e Milanit po mendojnë për një huazim të futbollistit serb me të drejtë blerje, teksa në përfundim të operacionit, Milinkoviç do të vishej kuqezi.
Oferta – Sipas “La Stampa”-s, Leonardo ka përgatitur një ofertë prej 40 milionë eurosh për ta huazuar fillimisht 23-vjeçarin, që më pas në fund të sezonit të paguajë edhe pjesën tjetër prej 80 milionë eurosh për të blerë kartonin e tij të plotë. Për të zbutur shifrën, drejtuesi brazilian po mendon të përfshijë në bisedime edhe dy lojtarë. Njëri është Fabio Borini që edhe vitin e kaluar kërkohej nga Lacio, ndërsa tjetri mund të jetë Xhakomo Bonaventura, që do të ishte asi nën mëngën e “Djallit”, duke ditur reputacionin që gëzon italiani në Serinë A. Kjo manovër, përveçse e leverdishme për të dyja klubet, do të rezultonte edhe efikase për t’iu shpëtuar shtrëngimeve që UEFA u imponon klubeve me probleme financiare siç janë edhe kuqezinjtë.
Tare – Drejtuesi i Lacios, Igli Tare, është një tjetër objektiv i Milanit, me ish-sulmuesin që mund të jetë drejtori i ri sportiv i “Djallit”, siç raportojnë mediat italiane. Roli i krahut të djathtë të Leonardos është ende vakant dhe shqiptari është një profil që po merret në konsideratë, në bazë edhe të punës së mirë që ka bërë. Duke folur posaçërisht për serbin, drejtuesi shqiptar ka deklaruar: “Nuk e përjashtojmë mundësinë që ai mund të largohet, por ofertat nuk kanë qenë të përshtatshme për nivelin e tij. Për momentin skuadra që kemi në dispozicion është e kompletuar, por deri në fund gjithçka mund të ndodhë. Nëse do të ketë një ofertë që do të kënaqë si skuadrën ashtu dhe lojtarin, atëherë Sergej mund të largohet”, deklaratë kjo që i hap dritën e gjelbër operacionit.