AKTUALITET, 2 Maj 2018, 20:06

Gjyqtarë "fluturues", KLD futet në kolaps nga Reforma në Drejtësi

NGA ENDRIT HABILAJ Pas votimit të reformës në drejtësi, në 21 korrik 2016, institucioni i parë që u prek nga ndryshimet kushtetuese ishte Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Deri para kësaj date, KLD kishte për detyrë emërimin, shkarkimin, transferimin apo delegimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të dytë në Republikën e Shqipërisë. Por paketa e reformës në drejtësi, përfshinte edhe krijimin e institucioneve të reja, si ai i Këshillit të Lartë Gjyqësor, brenda 8 muajve. Ky Këshill do të ketë kompetencën e emërimit, vlerësimit, ngritjes në detyrë dhe transferimit të gjyqtarëve e të gjitha niveleve. Edhe pse KLGJ nuk është krijuar ende si institucion, reforma në drejtësi ka shfuqizuar nenin 147 për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që emëron ose shkarkon gjyqtarët. Aktualisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë po vepron me kompetenca të kufizuara, pasi është në pritje të ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kjo ka sjellë një krizë për shumicën e Gjykatave në vend, për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Më kaotike paraqitet situata në të gjitha Gjykatat e Apelit, përfshirë edhe atë të Krimeve të Rënda në Tiranë. Gjithashtu edhe Gjykatat Administrative si dhe ajo e Përmetit, Lushnjes dhe Kavajës, janë futur në kolaps për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Në këtë situatë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka mundësi të ndërhyjë vetëm duke deleguar trupa gjyqësore nga njëra gjykatë në tjetrën. Delegimi është e vetmja kompetencë e mbetur e KLD-së për të zgjidhur këtë ngërç, prandaj shpesh po artikulohet fenomeni i gjyqtarëve "fluturues". Nga Vlora në Shkodër, nga Elbasani në Durrës, nga Tirana në Gjirokastër, nga Korça në Gjirokastër, janë disa nga inteneraret e gjyqtarëve, të cilët "fluturojnë" për të shqyrtuar çështje gjyqësore që nuk i përkasin atyre. "Procesi i delegimeve do të vijojë, pasi nuk mund të bllokohet puna e gjykatave. Kjo tregon edhe nje herë përgjegjshmërinë e anëtarëve të KLD-së, të cilëve iu kerkua të linin punën pas kalimit të afatit absurd 8 mujor të vendosur në ligj." - shprehet për Tpz.al, Gerd Hoxha, anëtar Këshillit të Lartë të Drejtësisë. [caption id="attachment_101195" align="alignleft" width="350"]Gerd Hoxha, Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, anëtar i KLD Gerd Hoxha, Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, anëtar i KLD[/caption] "Kjo tregon largëpamësinë e Unionit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve kur kundërshtuan ligjet organike të funksionimit të pushtetit gjyqësor dhe driteshkurtësinë e atyre që i hartuan dhe miratuan këto ligje."- shton më tej Hoxha, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që pezulluan një sërë funksionesh të KLD-së. Pothuajse çdo muaj KLD, në pamundësi të një zgjidhje tjetër, delegon si gjyqtarë "fluturues" nga njëra gjykatë në tjetrën 60 deri në 70 gjyqtarë. Ndërkohë më problematike paraqitet situata në Gjykatën e Apelit të Durrësit, ku tre gjyqtarë janë marrë si të pandehur nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kurse një tjetër nuk mundi të kalojë dot Vettingun. Kjo sjell bllokimin më të madh të regjistruar ndonjëherë, në Gjykatën e Apelit të Durrësit, e dyta më e madhja në vend. "Çdo kërkesë që vjen për delegim pranë KLD-së, përgatitet menjëherë nga administrata për mbledhjen e radhës. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë vonesa në kërkesat për delegime. Procesi i delegimeve është tërësisht transparent, pasi e tërë procedura publikohet në faqen zyrtare të internetit." - shprehet për Tpz.al, Elis Kuçi, Zëdhënës i KLD-së. [caption id="attachment_101154" align="alignleft" width="305"]Elis Kuçi, Zëdhënës i KLD-së Elis Kuçi, Zëdhënës i KLD-së[/caption]

Me nisjen e Vettingut, i cili ka dhënë efektet e para të largimit të gjyqtarëve, pritet që situata të përkeqësohet edhe më tej. Për rrjedhojë me qindra çështje pritet të mbeten pezull deri në krjimin e KLGJ që do të emërojë gjyqtarët e rinj.

Delegim për bllokim! Në ligjin nr. 9877, "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor", në nenin 21, parashikohet se kur një gjykatë nuk ka mundësi të shqyrtojë një ose disa çështje brenda afatave të arsyeshme kohore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, mund të delegojë gjyqtarë nga gjykatat e tjera. Por delegimi është kthyer në bllokim për një sërë çështjesh të rëndësishme, si ajo e Dritan Dajtit, ku gjyqtarë "të jashtëm", do të marrin vendim në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. E njëjta situatë paraqitet edhe tek dosja e Lazaratit, ku çështja po ndiqet nga gjyqtarë të deleguar. Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Ardiana Bera, është një nga gjyqtaret e deleguara. Ajo thotë se ka mbi 50 dosje në shqyrtim në Gjykatën e Tiranës, ndërsa tani është e detyruar të "fluturojë" drejt një gjykate tjetër. " Jam deleguar në Gjykatën Krujës bashkë me dy kolegë, për shkak të mungesës së gjykatësve atje." - shprehet Bera, për Tpz.al. Por kjo lëvizje e gjyqtares Bera, ka sjell mbingarkesë në dosjet që ajo ka në Tiranë. Për pasojë, një sërë çështjesh gjyqësore janë bllokuar ose zvarritur. "Sigurisht delegimet na shtojnë ngarkesen. Duke qënë edhe gjykatëse e hetimeve paraprake dhe ligji parashikon afate të shkurtra për arsyetimin  e vendimeve, ngarkesa është me e madhe."- shton më tej gjyqtarja Bera. Me qindra çështje gjyqësore po zvarriten, për shkak se gjyqtarët janë të detyruar të "fluturojnë" në qytete të ndryshme, për të ndjekur çështjet e kolegëve. Nëse KLD do të shkrihej 8 muaj pas votimit të Reformës në Drejtësi në 21 korrik 2016, siç ishte parashikuar me ligj, atëherë sistemi gjyqësor do të kishte rënë. "Kjo mënyrë delegimesh ka sjellë zvarritje në administrimin e punëve administrative dhe gjykimeve në gjykata, si në ato ku ka mungesë gjyqtarësh ashtu edhe në ato gjykata, prej të cilave delegohen gjyqtarët. Patjetër që kjo ka sjellë edhe pakenaqësi mes gjyqtarëve të komanduar pasi ata nuk janë në gjendje të zhvillojnë sa dhe si duhet gjykimet në zyrat ku janë emëruar dhe në ato ku delegohen. Ikja nga një gjykate në tjetrën, dmth që një ditë t'ia kushtosh vetëm një gjykimi, duke shtyrë gjykimet e tjera" - u shpreh Gerd Hoxha, gjyqtar dhe njëherësh anëtar i KLD-së. Anëtari i KLD-së kërkon një zgjidhje emergjente, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Hoxha kujton debatet për ligjin e KLD-së, që sipas tij ishte një lëvizje e gabuar me ndërprerjen e funksioneve themelore të këtij institucioni. "Tani kjo gjë mund të rregullohet me ndërhyrje në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe në ligjet e tjera organike, për t'i dhënë KLD disa kompetenca, për të bërë të paktën emërime emergjente në rradhët e gjyqtarëve, apo të përkohëshme apo dhe definitive, duke bashkërenduar punën me organet e Vettingut që të kalojnë në sitën e tyre."- thotë gjyqtari, Gerd Hoxha. "Vendimi i Gjykates Kushtetuese ka një paragraf ku lejon që KLD aktuale të bejë edhe emërime por kjo ka hasur rezistencën e atyre ekspertëve  që kanë bërë ligjet e reformës. Nëse kjo nuk arrihet ateherë të bëhen ndryshime në ligjet organike. Por kjo rrugë është më e gjatë se e para pasi do votim me 3/5 gje që sot nuk është e mundur." - shton më tej anëtari i KLD-së, Hoxha. Të njëjtin mendim ndan edhe avokati Ledio Braho i cili përballet me situatën e zvarritjes së proceseve gjyqësore, për shkak të delegimeve.  Sipas tij, ky ngërç ka vënë në pozicion të vështirë edhe avokatët, pasi nuk parashikojnë dot mbylljen e një procesi gjyqësore, duke krijuar një marrëdhënie jokorrekte me klientët. "Kjo situatë kaotike që deri tashmë de jure ka prekur Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, po cënon edhe interesat e qytetarëve palë në procese gjyqësore pasi zvarritja e këtyre procesve për shkak të mungesave të gjyqtarëve cënon edhe afatet e parashikuara në K.Pr.Civile dhe legjislacionin në fuqi për gjykimet administrative për zhvillimin e proceseve gjyqësore." - shprehet Ledio Braho për Tpz.al. [caption id="attachment_101161" align="alignleft" width="420"]Ledio Braho, Avokat Ledio Braho, Avokat[/caption] "Në disa prej gjykatave të rretheve zhvillohen katër seanca për një vit kalendarik për shkak të ngarkesës çka sjell si pasojë edhe humbjen e qëllimit të procesit gjyqësor. Edhe ne si avokatë nuk jemi të prirur të përfaqësojmë klientët në këtë sistem pasi është e pamundur që t'i shpjegohet palëve se pas trumbetimit të "suksesit" të Reformës në Drejtësi, situata vetëm përkeqësohet." - shton më tej avokati Braho. 600 lekë për Gjyqtarët e deleguar Ardiana Bera, duhet të udhëtojë si gjyqtare minimalisht 1 herë në javë nga Tirana në qytetin e Krujës, pasi është deleguar atje për një çështje penale. Edhe pse është deleguar pa dëshirën e saj, për shkak të numrit të madh të dosjeve që ka në Tiranë, gjyqtarja Bera nuk është përfiton asnjë honorar. Regleta Panajoti është një tjetër gjyqtare e Gjykatës së Tiranës, e cila "fluturon" për në Gjykatën e Durrësit, për një çështje civile. Gjyqtarja Panajoti merr një honorar prej 600 lekësh të reja, si kosto mbulimi për transportin me autobus. Të gjithë gjyqtarët që delegohen përfitojnë honorare qesharake, nuk kanë dieta dhe shpesh nxjerrin para nga xhepat e tyre për të mbuluar shpenzimet. Gjyqtarja Bera është deleguar që në tetor të vitit 2017, dhe ka udhëtuar me dhjetra herë drejt qytetit të Krujës për të ndjekur çështjen penale. "Deri tani nuk kam përfituar asgjë si honorar. Nuk më është derdhur asnjë shpërblim apo dietë në llogarinë time. Kam udhëtuar me shpenzimet e mia." - shprehet gjyqtarja Bera. Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, shprehet se problemi i mbulimit të shpenzimeve është shokues, saqë as nuk përmendet, dhe jo më të zgjidhet.  "Dietat janë skandaloze por kjo gjë, përherë mbetet e fundit për tu diskutuar. Madje nuk zihet në gojë sepse mendohet sikur po thuhet një blasfemi. Edhe pse janë të patrajtuar si duhet gjyqtarët po tregojnë vetëmohim dhe ndjenjë përgjegjësie për t'iu përgjigjur sa më mirë nevojave të popullit për të dhënë drejtësi në një kohë sa më të shpejtë." - thekson Gerd Hoxha për Tpz.al Sipas kreut të Unionit të Gjyqtarëve, ky problem zgjidhet por mungon vullneti. "Një VKM mund ta rregullojë nivelin e dietave sepse është diçka emergjente, që në fund i shërben dhënies së drejtësisë, jo xhepit të gjyqtarit." - përfundon gjyqtari i Gjykatës së Tiranës./TPZ.AL/  * Ky shkrim është pjesë e Projektit të Institutit Shqiptar të Medias “Media dhe Reforma në Drejtesi”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tirane. Opinionet dhe gjetjet e shkrimit janë të autorit.