AKTUALITET, 2 Shkurt 2018, 16:24

Gjashtë këshilltarë të paligjshëm, vendimet e Veliajt të pavlefshme në Këshillin Bashkiak

Gjashtë këshilltarë të paligjshëm, vendimet e Veliajt

Këshilltari demokrat i Bashkisë Tiranë Fabian Topollaj ka fituar gjyqin në Gjykatën Administrative kundër Bashkisë Tiranë, për paligjshmërinë e gjashtë këshilltarëve të PS dhe LSI në Këshillin Bashkiak Tiranë.

Zoti Topollaj hodhi në gjyq Bashkinë Tiranë me pretendimin se gjashtë prej këshilltarëve të saj janë të paligjshëm që prej korrikut 2017, ata nuk kanë ndjekur procedurat e parashikuara në ligj për tu emëruar si këshilltarë dhe kanë votuar për miratimin e vendimeve të BT-së pa qenë ende këshilltarë.

Ky vendim i Gjykatës Administrative bën që të gjithë vendimet e Bashkisë Tiranë të marrë me këta gjashtë këshilltarë janë të paligjshme.

Më saktësisht bëhet fjalë për këshilltarët që kanë zëvendësuar ish-këshilltarët e PS dhe LSI që pas zgjedhjeve të qershorit 2017 u bënë deputetë dhe lanë postin e këshilltarit.

Një ndër rastet që dhe Exit.al ka shkruar është miratimi i rritjes së çmimit të ujit dhe dhënia me koncesion të projektimit, ndërtimit dhe shfrytëzimit të shkollave, në korrik 2017.

Vendimet u miratuan formalisht me 31 vota, aq sa këshilltarë ishin të pranishëm në sallë, njëkohësisht dhe minimum i nevojshëm për të formuar kuorumin për të marrë vendime që kërkojnë shumicë ablsolute për tu miratuar, – KBT ka 61 anëtarë, pra shumica absolute e nevojshme është 31 këshilltarë.

Në këtë mbledhje votuan të 25 këshilltarët e PS, tre të PDIU, 2 të LSI dhe një nga FRD. Problemi lind se ndër këshilltarët e PS së paku tre kanë qenë ose me mandat të mbaruar sepse janë zgjedhur deputetë, e nëse kanë qenë zëvëndësuesit e tyre nuk kanë pasur fare mandat sepse Këshilli nuk ka pasur kuorumin për t’ju dhënë atyre mandatin siç parashikon ligji. Jo vetëm kjo, por problem përbën edhe këshilltarja e LSI-së e cila edhe ajo ishte zëvëndësuese sërisht pa mandat.

Prandaj, ndër 31 persona që kanë qenë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës vetëm 28 prej tyre kanë qenë këshilltarë të mandatuar të këtij këshilli. Bazuar në nenet 53, pika të ligjit 139/2015 dhe rregullores së Këshillit neni 13 pika 7 mbledhja ka qenë e pavlefshme.

Të tjerë vendime të rëndësishme të marra nga Bashkia Tiranë gjatë kësaj kohe, që automatikisht dalin të paligjshme janë buxheti i Bashkisë Tiranë 2018, paketa fiskale që parashikonte rritjen e taksave dhe tarifave.