TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Kastriot Islami
Rama sot ka deklaruar se “ekspertë gjermanë” më kanë këshilluar se nuk duhen shumë teste… Mashtrim ose gënjeshtër e trashë…! Nuk ka asnjë mundësi që “ekspertë” nga vendi që është kampion në kryerjen e testeve, të japin sugjerime të tilla… Kjo është vetëm shprehje e halucinacioneve të një injoranti që kujton se mund të bëjë gjithçka me qytetarët e vendit të tij, e deri të tallet me ta, duke i mbajtur të izoluar me mashtrime e urdhra sipas qejfit nga Surreli; dhe kur kapet gafil, nuk di se ç’thotë…
Si është e vërteta?
Shqipëria ka kryer deri sot në datën 24 prill 2020 gjithsej 6768 teste ose 2352 testet për 1 milion banorë. Një shifër dhjetëra herë më e ulët sesa e vendeve europiane dhe disa herë më e ulët sesa e vendeve të rajonit; dhe disa dhjetëra herë më e ulët sesa e vendeve kryesore europiane... (shiko grafiqet).
Sa teste ka kryer Gjermania, meqë Rama i referohet këtij vendi?
Gjermania deri dje në datën 23 prill 2020 kishte kryer 2.072.262 teste, pra mbi 2 milionë teste ose rreth 24.738 teste për 1 milion banorë. Thënë ndryshe, 10 herë më shumë sesa ç’kryen Shqipëria për 1 milion banorë!? Prandaj ajo që thotë Rama është një gënjeshtër e trashë dhe mashtrim i turpshëm i publikut…
Madje po t’i referohemi një vendi si Islanda me rreth 350 mijë banorë, ajo ka kryer 132.709 teste për 1 milion banorë ose thënë ndryshe ka testuar rreth 15 përqind të popullsisë, që nëse Rama kërkon të krahasohet me vendet e vogla si Islanda, do të thotë se në vendin tonë do të duhet të ishin kryer rreth 360 milionë teste për 1 milion banorë, ndërkohë që janë kryer vetëm 2352 për 1 milion banorë. Pra Islanda ka kryer rreth 56 herë më shumë teste për 1 milion banorë sesa Shqipëria.
Mos vallë në rajonin e Ballkanit Shqipëria ka një shifër të ngjashme me vëndet e tjera?
Aspak… Edhe po të krahasohet me vendet e rajonit, Shqipëria është në vendin e fundit. Shqipëria ka kryer rreth 3,5 herë më pak teste për 1 milion banorë sesa Mali i Zi, rreth 3.2 herë më pak sesa Kroacia, 2,8 herë më pak se Maqedonia e Veriut, 2,8 herë më pak Bosnja… Duke u renditur vendi i fundit në rajon përsa i përket numrit të testeve për 1 milion banorë…
Po ku e ka gjetur Rama këtë orientim dhe përse gënjen?
I gjithë menaxhimi i epidemisë bazohet vetëm në gënjeshtrat e mashtrimet e Ramës, në ëndrrat me pushtet që ai shikon çdo natë i tmerruar edhe nga frika e dështimit. Sepse kudo në botë, ekspertët e epidemisë tregojnë se një nga arsyet e suksesit të menaxhimit të kësaj krize është “informacioni” mbi përhapjen e virusit, gjë që sigurohet vetëm përmes sa më shumë testeve, të cilat Rama i refuzon me kokëfortësi… Rama refuzon të kryejë teste edhe sepse, siç e ka lënë gjendjen deri më sot, ka shumë frikë se me rritjen e numrit të testeve mund të rritet shumë edhe numri i të infektuarve. Nga kjo gjë Rama ka tmerr, prandaj Rama tenton me kokëfortësi që këtë shifër ta mbajë sekrete dhe sa më të ulët e ta kontrollojë pa bërë teste, duke menduar se kështu do të konsiderohet personazhi më i suksesshëm në botë për menaxhimin e pandemisë, ndërkohë që të gjithë, brenda e jashtë vendit, e kanë të qartë sa mediokër dhe i korruptuar është, por që duke gënjyer e mashtruar edhe me pandeminë kujton se do ta konsiderojnë të suksesshëm për menaxhimin e kësaj krize?!