LIFESTYLE, 21 Korrik 2019, 11:16

Gabimi që bashkëshortja 10 vite më e re nuk i fali Stresit pas daljes nga burgu, si u prish plani i dasmës private në Santorini



Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, u lirua nga burgu pas 8 muajsh, një vendim që gëzoi më së shumti bashkëshorten e tij 10 vite më të re, Keisin. Mesa duket e ka pritur deri sa doli nga burgu dhe kanë sqaruar gjithçka, arsye që sipas të njohurve të tyre është bërë shkak për prishjen e marrëdhënies.

Kujtojmë që komshia e tij, e cila aktualisht ndiqte studimet në Kanada, për shkak edhe të distancës i kushtonte edhe statuse gjatë kohës që ai ishte në burg. Por siç konfirmojnë miqtë e tyre, Stresi dhe Keisi i kanë dhënë fund historisë me njëri-tjetrin, edhe pse ata ishin të celebruar dhe po planifikonin një ceremoni private dasme në ishullin grek, Santorini.

Duhet theksuar se për 8 muaj që reperi qëndroi në qeli në burgun e Fushë-Krujës, bashkëshortja e tij shkonte ta takonte, duke mos lënë pas dore edhe postimet e pafundme në “Instagram”, të gjitha dedikime dashurie për Stresin. Mirëpo, duket se çifti është ndarë për shkak të mosmarrëveshjeve, nisur edhe nga lajmet se në momentin që u kap nga Policia, Stresi ishte në shoqërinë e një femre.

Për këtë fakt, në një intervistë për një revistë, Keisi u shpreh se do të sqarohej pasi Stresi të lirohej nga burgu. Nuk dihet nëse sqarimet për këtë çështje e kanë acaruar situatën si një gabim që Keisi nuk ia ka falur dot Stresit, apo ndarja ka ardhur për mos dakordësi për lidhjen e tyre në distancë.

Diçka është e sigurt, që Keisi i ka fshirë të gjitha fotot me Stresin nga “Instagram”-i dhe madje ka hequr mbiemrin e tij Lushaj, që e kishte në profilin e saj pas celebrimit. Së fundmi, në “InstaStory” ajo shihet duke u argëtuar me shoqen e saj, por në gisht i duket ende një unazë. Nga ana tjetër, Stresi publikoi në profilin e tij në “Instagram” një foto, ku uronte mikun e ngushtë për ditëlindje.

E kështu ka bërë edhe Keisi së fundmi. Ajo ka publikuar në “Instastory” një foto ku shfaqet në restorant, teksa sheh e qeshur nga njëri drejtim. Ajo që bie në sy është tatuazhi i saj në krah, ku është shkruar një frazë nga një këngë e Stresit. Pavarësisht lajmeve për divorcin e tyre, reperi dhe Keisi duket se kanë vendosur që të mos reagojnë, duke i bërë të gjithë kuriozë se çfarë po ndodh. Kujtojmë që Stresi dhe Keisi janë celebruar, ndërkohë që kishin planifikuar ceremoni private dasme në një nga ishujt e Greqisë.

Madje, gjatë muajve që Stresi ndodhej në burg, nëna e tij i shkruante publikisht Keisit, ndërsa i thoshte: “Shumë shpejt veshur me të bardha Keisi. Do të jesh nuse kopertinash. Ju dua Stresi dhe Keisi!” Postimin e saj e ripostoi edhe Keisi në profilin e saj në “Instagram”, ku shprehej se ndihej krenare për vjehrrën. Ato të dyja nuk kanë dhënë detaje të tjera për dasmën, por u fol se me daljen nga burgu, Stresi do të bëhej dhëndër.