AKTUALITET, 20 Qershor 2019, 09:04

Frikë nga përplasja në Shkodër, Bardh Spahia “mbahet peng” në Policinë e Tiranës. Ja çfarë tha Basha

Frikë nga përplasja në Shkodër, Bardh Spahia “mbahet


Ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia u ndalua mbrëmjen e djeshme teksa ishte duke shkuar në studiot e një televizioni, pasi paraditen e djeshme në media u shpërnda lajmi se ai ishte në kërkim, për aktet e dhunës që u shënuan në një prej KZAZ-ve në Shkodër pasditen e së martës.

Me gjasë në policinë e Tiranës, Spahisë i është komunikuar masa e arrestit, dhe ndoshta duhet të pritet seanca e radhës që kjo masë të rivlerësohet.

Burime bëjnë me dije se Spahia ndodhet ende në Drejtorinë vendore të Policisë së Tiranës, dhe ende nuk është bërë transferimi i tij në Shkodër nga frika e një përplasje mes efektivëve dhe mbështetësve të PD-së që gjendeshin dje përpara komisariatit në Shkodër.

Teksa ishin në pritje të mbërritjes së Spahisë mesnatën e djeshme, kreu i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin Lleshaj se arrestimi i ish-deputetit është politik, ndërsa bëri thirrje për lirimin e tij, pasi kjo situatë po çon vendin në kaos dhe luftë civile.

“Arrestimi është politik, që kanë realizuar edhe etërit e tyre. Shkodra nuk nënshtrohet nga arrestimet partiake.

Të ndalohen një minutë e më parë arrestimet, pasi po e çon vendin në kaos dhe luftë civile në këto zgjedhje që mendon që ti mbajë.

Drejtuesit e policisë së Shkodrës nuk kanë asgjë në dorë, pasi ndryshe flasin dhe ndryshe veprojë.

Çdo gjë është në dorë të kryeministrit dhe ministrit Lleshaj. Bardh Spahinë e kanë akuzuar për problemet në Shkodër, por Lleshaj ka ndryshuar mendje dhe e kanë mbajtur atje për arsye sigurie. Sipas ministrit është person i rrezikshëm. Ardhja e Ramës e nxit akoma më shumë këtë protestë”, tha ai.

Për arrestimin e Spahisë reagoi dhe kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili tha se asgjë nuk do ta ndalte këtë forcë politike, në luftën kundër blerësve të votave dhe kriminelëve.