AKTUALITET, 31 October 2026, 21:28

“France 24”: Protesta të reja antiqeveritare në Tiranë, studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama

“France 24”: Protesta të reja antiqeveritare në

Protesta studentore e kësaj të shtune në Tiranë ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. France 24 i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në kryeqytetin shqiptar, duke raportuar për protestat kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në artikull, media franceze i përshkruan demonstratat si protesta që fillimisht nisën paqësisht në muajin maj, të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin e perceptuar dhe kundërshtimi ndaj një projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz.

Më tej, France 24 thekson se që nga mesi i tetorit, tubimet janë shndërruar në një valë protestash, disa prej të cilave janë shoqëruar me episode dhune. Në qendër të pakënaqësive, sipas medias, janë edhe problemet në sistemin shëndetësor dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë.

Duke raportuar për protestën e kësaj të shtune, France 24 shkruan se demonstrata nisi në mënyrë paqësore, nën reshjet e shiut, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Sipas medias, situata u tensionua më pas, kur disa të rinj hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë, ndërsa u vunë flakën edhe kazanëve të mbeturinave. Forcat e rendit iu përgjigjën me autobotë uji për shpërndarjen e protestuesve.

Artikulli ndalet gjithashtu te masat e reja të ndërmarra nga qeveria shqiptare të mërkurën, të cilat parashikojnë gjoba deri në 5,500 euro për pjesëmarrësit në protesta që kryejnë akte dhune.

“France 24”: Protesta të reja antiqeveritare në