AKTUALITET, 22 Nëntor 2018, 19:42

(FOTO&VIDEO) Plagosja në protestë/ Kush është policja që humbi gishtat e dorës

Vajza në foto është Ina Nuka, policja e plagosur gjatë protestës së sotme dhe që humbi 3 gishta nga dora e djathtë.

Ajo është shtruar në spital dhe dorën e ka të gjithën të fashuar. Nuka ka marrë ndihmën e parë dhe është nën efektin e qetësuesve.

“Dora ime, dora”, dëgjohet të thotë efektivja në video. Ndërsa kolegët mundohen ta qetësojnë duke i thënë se s’ka asgjë dhe se thjesht është trembur nga shpërthimi.

Ina Nuka është 24 vjeçe dhe është efektive e forcave Shqiponja. Ajo ka punuar më poarë në Patrullë të përgjithshme dhe 6 muajt e fundit ka kaluar me Forcat Shqiponja. Më herët ka studiuar tek Universiteti i Sporteve. 24-vjeçarja ka humbur 3 gishtat e njërës dorë për shkak të një kapsolle që dyshohet se është hedhur nga protestuesit.

Policia njoftoi se në Spitalin e Traumës në Tiranë po marrin mjekim 12 punonjës policie. Mes tyre 2, në gjendje më të rëndë.

Më herët, ish kryeministri Berisha, postoi një foto, ku pretendonte se policja nuk ishte dëmtuar dhe se kishte thjesht një gërvishtje në njërin gisht. Por, kjo rezultoi e pavërtetë, sepse fotoja i përkiste një tjetër efektiveje. Siç shihet në foton më poshtë, efektivja Ina Nuka, fatëkeqësisht është plagosur rëndë dhe ka humbur 3 gishta.