TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndeshja e sotme mes Malagas dhe Oviedos ka parë skuadrën e Keidi Bares dhe Armando Sadikut të dalë me tri pikë dhe të regjistroje suksesin e parë në shtëpi për këtë sezon. Fitorja e dytë radhazi në kampionat ishte e rëndësishme pasi nxori skuadrën e Malagas nga zona e ftohtë e renditjes dhe ktheu përsëri entuziazmin në ekip.
Por nuk ishte një ndeshje e thjeshtë për të dy futbollistët shqiptarë. Sadiku dhe Bare ishin protagonistë në fushën e lojës duke u munduar që të shënonin në çdo mënyrë, por nuk arritën të tundin rrjetën në këtë duel që u mbyll me shifrat 2-1. Të dy u ndëshkuan me karton të verdhë për shkak të dëshirës së tepërt për të fituar çdo duel, duke rrezikuar edhe që të dilnin me të kuq në disa përplasje.
Sadiku e mbylli ndeshjen para kohe, kur pas një sprinti në minutat e fundit të duelit, pësoi një tërheqje. Ai kërkoi menjëherë ndërrim për të mos rrezikuar më shumë dhe u ul në pankinë i shoqëruar nga mjekët e skuadrës. Ndërsa pak çaste më vonë, në shtesën e ndeshjes, Bare u bë protagonist pa dashje duke sjellë ndëshkimin e një kundërshtari me karton të kuq.
Gonzalez i Oviedos, në një duel ajror goditi me bërryl në fytyrë mesfushorin e përfaqësueses shqiptare dhe u ndëshkua me karton të verdhë, të dytin për të, duke mbyllur ndeshjen para kohe. Fatmirësisht për Baren, goditja nuk ishte e rëndë dhe ai vazhdoi ata pak minuta që kishin mbetur deri në vërshëllimën përfundimtare që solli këtë sukses të rëndësishëm për klubin e tij.