AKTUALITET, 26 Shkurt 2019, 16:12

Financat dhe biznesi, avokati i Trump dëshmon para Kongresit

Financat dhe biznesi, avokati i Trump dëshmon para Kongresit

Michael Cohen, avokati i Presidentit Donald Trump prej vitesh, del të martën para Komisionit të Zbulimit të Senatit, në ditën e parë të një dëshmie tre-ditore në Kongres.

Lidhjet e zotit Cohen me Donald Trumpin për më tepër se 10 vjet, e bëjnë atë një dëshmitar interesant para ligjvënësve, si dhe para Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, i cili është duke hetuar mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe për lidhje të mundshme me fushatën e zotit Trump.

E mërkura është dita e vetme kur zoti Cohen do të dëshmojë para publikut, ku ai do të pyetet nga anëtarët e Komisionit të Dhomës të Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare lidhur me financat e zotit Trump, për mundësinë e konfliktit të interesit me bizneset e tij dhe paratë e paguara në fshehtësi ndaj dy grave, që kanë thënë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump, shkruan VOA.

Zoti Cohen është dënuar me tre vjet burg, pasi u gjend fajtor se kishte gënjyer Kongresin në disa raste të tjera, shkelje financiare gjatë fushatës që lidhen me pagesa fshehtazi, mashtrime bankare dhe evazion fiskal.