AKTUALITET, 25 Maj 2018, 19:57

Finalja e Champions, Zidan: “Nuk jemi favoritë. Shanset janë 50% me 50%”.

Ky është thelbi i konferencës së trajnerit të Realit të Madridit, Zinedin Zidan, që mund të shkruajë historinë të shtunën nëse madrilenët do të fitojnë finalen e Ligës së Kampionëve kundër anglezëve të Liverpulit.

Gjigantët spanjollë janë në finalen e tretë radhazi me francezin në bankinë, ndërsa i kanë fituar dy pararadhëset, duke e çuar në 12 në total numrin e trofeve, shtatë më shumë se Liverpuli.

“Është bërë shumë punë dhe ka talent në këtë skuadër. Për të arritur në finale nuk ishte e lehtë. Jemi të kënaqur që jemi sërish në finale”, tha fillimisht Zidane.

“Duke parë historinë e klubit, çfarë po bëjmë ne tani është diçka e bukur. Jetoj për këtë. Është pasioni im. Jam konkurrues dhe më pëlqen të konkurrojë”.

“Prapa gjithë kësaj pune, nuk jam veç unë por edhe lojtarët gjithashtu. Kur keni dëshirë të punoni dhe jeni në Real Madrid, mund të arrihet ajo që kemi arritur”.

“Kam shumë respekt për Kloppin, ajo që ai ka arritur në futboll është fenomenale. Kam shumë respekt për të, nuk mund të them nëse jemi të ngjashëm, sepse secili trajneri është i ndryshëm”, tha Zidan, i cili e ka fituar Ligën e Kampioneve si lojtar (1 herë) dhe si trajner (2).

/TPZ.AL/