TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i cili renditet i 7-ti si kandidat i Aleancës për Ndryshim në qarkun e Tiranës, vijoi sot takimet elektorale në Njësinë Nr.2 në kryeqytet.
Gjatë takimeve, Mediu tha se duhet të ulen taksat për bizneset dhe të hiqen taksat e tepërta lokale.
“Ne besojmë se paratë në xhepat tuaj janë më të sigurta se paratë në xhepat e Ramës apo Erion Veliajt. Atë që dini ju ta bëni me financat, nuk di ta bëjë as Edi Rama, sepse në fund të fundit ju i shërbeni familjes suaj, kurse ata përpiqen që t`i shërbejnë klaneve të cilat kanë sjellë vetëm korrupsion”, u shpreh Mediu.
Kreu i PR shtoi se asnjë vend i rajonit nuk e ka trajtuar pandeminë për qëllime politike si Edi Rama, që sipas tij ka vepruar jashtë standardeve njerëzore, shëndetësore dhe qeverisëse.
“Të gjitha vendet e rajonit kanë stimuluar bizneset financiarisht, për t`i mbështetur ato, sepse po mbaroi biznesi, ka mbaruar ekonomia, ka mbaruar punësimi. Kanë trajtuar familje me pagesa nga ana e shtetit, kurse Rama të gjitha paratë që merr nga taksat tona i ka dhënë për interesa korruptive me PPP-të që ka, të cilat nuk kanë asnjë vlerë në këtë lloj situate, dhe për më tepër të thotë që ti duhet të punosh nga ora 8 deri në 6 apo deri në orën 8, dhe të kufizon oraret dhe të kufizon mundësi biznesi dhe nga ana tjetër të kërkon po të njëjtat taksa siç kanë qenë më parë. Pra të gjitha këto në kompleks tregojnë që ne kemi një qeverisje e cila ka humbur jo vetëm sensin politik por dhe sensin njerëzor”, tha Mediu.
“Dy gjëra janë shumë të rëndësishme në jetën tonë, liria dhe dinjiteti. Dinjitetin, sepse besoj që secili nga ne vlerëson që ka autoritetin, mundësinë e vet, liria sepse është një mundësi për të bërë atë çka ne mendojmë që na e ka falur Zoti për ta bërë për të mirë për veten tonë dhe për familjen tonë. Unë mendoj që 25 Prilli nuk është thjesht çështje votimesh, por është një moment me shumë rëndësi në historinë tonë kombëtare, jashtëzakonisht i rëndësishëm për t`a kthyer Shqipërinë në rrugën e mbarë.
25 Prilli duhet të jetë bashkimi, jo i opozitës, por bashkimi i shqiptarëve kundër së keqes. 25 Prilli duhet të jetë dita kur shqiptarët do t`i thonë po dëshirës së tyre për të punuar dhe ndërtuar ekonominë e tyre familjare, ekonominë e tyre personale. 25 Prilli është momenti kur shqiptarët duhet të rifitojnë edhe njëherë, të zgjohen dhe të shikojnë që interesi i tyre si shqiptarë është e ardhmja europiane, nuk është asnjë lloj marrëdhënie tjetër. 25 Prilli është momenti kur shqiptarët duhet të thonë; duhet të ketë shtet, që na respekton, që ne e ndërtojmë, që respekton lirinë dhe dinjitetin tonë. 25 Prilli është një moment reflektimi dhe vlerësimi i përbashkët për t`i dhënë fund klaneve korruptive, ku paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë në duart e Edi Ramës dhe njerëzve afër tij”, u shpreh kreu i PR.