AKTUALITET, 26 Gusht 2020, 12:33

"Faleminderit Milo që ekziston"/ Rama flet serbisht, mbështet Gjukanoviç dhe jo partitë shqiptare në Malin e Zi

"Faleminderit Milo që ekziston"/ Rama flet serbisht,

Kryeministri Edi Rama, ka regjistruar një video mesazh, shumë të ngjashëm me një spot publicitar për fushatat zgjedhore, ku shpreh mbështetjen për Milo Gjukanoviçin dhe partinë e tij Social Demokrate, në zgjedhjet që do të mbahen në Malin e Zi pas pak ditësh, më 30 Gusht.

Në videon e publikuar nga media "in4s.net", Rama flet edhe serbisht, kur përsërit sloganin e partisë së Gjukanoviç,"Me vendosmëri për Malin e Zi".

Në videon e regjistruar në ndihmë të mikut të tij Gjukanoviç, Rama shkon deri aty sa të thotë "faleminderit i dashur Milo, që ekziston" dhe shprehet se "askush tjetër nuk mund të shpëtojë të ardhmen e Malit të Zi, se sa burri që e shpëtoi kaq shumë herë në të shkuarën dhe partia që punoi kaq shumë dhe arriti kaq shumë deri sot, në drejtimin e Malit të Zi".

"Faleminderit Milo që ekziston, jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për Shqipërinë, shqiptarët në Malin e Zi, në Kosovë dhe në rajon dhe gjithashtu për rajonin tonë në përgjithësi. Ajo çfarë nuk ke bërë ende për Malin e Zi, nuk mund ta gjykojë unë, por ja lë popullit tënd. Por, ajo që ka bërë Milo Gjukanoviç për Malin e Zi dhe për rajonin, duhet të bëjë krenarë, të gjithë qytetarët e Malit të Zi dhe të bëjë të gjithë prindërit në Malin e Zi, të ndihen të sigurtë për fëmijët dhe nipërit e tyre. Nuk e di çfarë do të ishte Mali i Zi sot, pa njeriun që e udhëhoqi këtë vend të bukur drejt pavarësisë dhe drejt Europës. Të gjithë e dimë, se sot, Mali i Zi nuk krahasohet me vendin e varfër dhe të dobët që ishte, kur nisi rrugëtimi i gjatë drejt një të ardhme më të mirë, nën drejtimin vizionar të Milos", thotë Rama ndër të tjera.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, nuk e ka shprehur këtë entuziazëm dhe mbështetje, për partitë shqiptare në Malin e Zi, të cilat garojnë me një listë të përbashkët, për të maksimalizuar votat. Koalicioni është nënshkruar mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva.

Ndryshe nga Rama, kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, ka bërë thirrje që shqiptarët të mbështesin masivisht partitë shqiptare në zgjedhje.

Reagimi i Bashës:

Ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare.

Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.

Ne krenohemi me faktin që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe në përmbushjen e aspiratës së anëtarësimit në NATO. Jam i bindur që faktori politik shqiptar do të vazhdojë që në mënyrë konstruktive të japë kontribut të çmuar në përshpejtimin e integrimit europian të Malit të Zi. Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit.

/TPZ.al/

VIDEO:

[video width="848" height="464" mp4="https://cdnimpuls.com/tpz.al/wp-content/uploads/2020/08/edi-rama-mbeshtet-milon-1.mp4"][/video]