AKTUALITET, 6 Prill 2018, 16:19

Faktet / Rama korruptuesi më i madh i mediave

Faktet / Rama korruptuesi më i madh i mediave

Kryeministri Rama sa herë është në hall ose sa herë kapet me presh në duar, përdor të njëjtën manovër për të dalë nga situata. Fajin e ka Saliu dhe mediat e kazanit.

Për të mos dhënë shumë shembuj në këtë drejtim, sepse ato janë bërë tashmë bajate, mjafton vetëm mbulimi i vendit me drogë, inkriminimi masiv i policisë që duam, lidhjet mafioze deri në kupolën e qeverisë dhe qëndrimi që kryeministri mbante atëherë ndaj të vërtetës që i përplasej në fytyrë. “Janë shpifje të Saliut, janë mushkonja jo avionë, është llumi i kazanit, fronti i së keqes, ata që nuk duan Shqipërinë”, e plot manipulime perverse që i bënin jehonë në korr ata që sot duan t’i dalin në krah për skandalin e taksës në Kalimash.

Dhe pikërisht tek ky skandal i fundit, ku Edi Rama u kap përsëri si gallof i aferave të veta, ai përdori të njëjtën strategji në Kuvend. Nuk u dha shpjegim qytetarëve se përse i vuri përballë faktit të kryer dhe pse luajti deri në kufijtë ekstremë të durimit të tyre, por nisi të tjerrë historitë e taksave të Saliut dhe të numërojë shtëpitë e gazetarëve.

Edi Ramës do t’i shkonte kjo strategji sikur rasti i Kalimashit të ishte vërtet një incident në qeverisjen e tij, një gabim siç do ta shesë tani me kokën e ulur dhe bishtin përpjetë. Sikur të mos kishte nga pas aferat e dhjetra koncensioneve që bien erë me kilometra larg, të kullave mbi prona publike dhe lidhjeve të dyshimta me botën e krimit, kryeministri do të kishte çdo të drejtë të merrej edhe me paraardhësin, ndoshta edhe me mediat. Së paku do të ishte i besueshëm si një politikan, që ndonëse i paaftë, është i pastër dhe i panjollë.

Mirëpo a i shkon Edi Ramës një kostum i tillë? A mund të flasë ai për ndershmërinë e gazetarëve, pa guxuar të përmendë asnjë emër, kur vetë ka plot 20 vjet në pushtet dhe gjurmët që i ka lënë Tiranës mbi lëkurë dhe Shqipërisë në kockë, janë dëshmia më e pastër se si ka mundur të bëjë karrierë një njeri që dinte vetëm të shkruante fjalimet e shefave? A mund të kërkojë ai invetarin e shtëpive të gazetarëve, kur vetë ka firmosur kulla për shumë prej tyre e për pronarët e tyre duke e ndarë pronën publike si plaçkë të një lufte të pisët? A mund të kërkojë ndershmëri profesionale për mediat, një kryministër që kujdeset për rrogat paradhënieve të atyre që i bëjnë fresk, që nuk e mban dorën për koncensione e leje ndërtimi për ata që e bëjnë të zezën të bardhë vetëm për t’i shërbyer atij? Si mund të flasë për gjoba një kryeministër që edhe kompanitë private i orienton dhe i shpërblen pasi kanë derdhur “pjesën” tek mediat dhe gazetarët që nuk shihnin as drogën e Sajmirit, as Sharrën e lali Erit, as koncensionet e Beqes dhe as kullat e Ramës?

Nëse ka diçka për të cilën Edi Rama është edhe krijuesi edhe zbatuesi, ajo është degradimi i mediave në shërbim të ngjitjes së tij në pushtet kundrejt shpërblimit nga pasuria publike. Ndërsa sot, për të qëdndruar aty ku është, ndan copa të tjera nga gjahu që i ka rënë në dorë dhe nuk është vështirë të dallosh se kush po i përtyp ato.

©Lapsi.al