AKTUALITET, 16 Mars 2019, 22:25

“Fajdexhinjtë e Shkodrës”, jepet masa arrest me burg për 12 të arrestuarit, ja çfarë deklaruan ata në gjykatë

“Fajdexhinjtë e Shkodrës”, jepet masa arrest me burg

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 12 të arrestuarit, dy ditë më parë, të cilët  vepronin si grup i organizuar kriminal në fushën e fajdeve.

Ndërkohë familjarët e të arrestuarve nuk janë pajtuar me vendimin e gjykatës, duke e konsideruar atë si të padrejtë.Gjatë seancës gjyqësore, disa prej të arrestuarve kanë pranuar se i kanë dhënë para borxh djalit të ish-perfektit Paulin Radovani, por sipas tyre, jo me fajde.

Ndërsa disa të tjerë, kanë deklaruar se i kane dhënë para borxh për shkak të miqësisë familjare dhe marrëdhënieve shoqërore me djemtë e ish-prefektit Radovani, me idenë se do ia kthenin mbrapsht.

Ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk ka pranuar se e ka kërcënuar ish-prefektin apo djemtë e tyre.

Sipas dosjes së prokurorisë, Radovani ka futur në kurth grupin e fajdexhijve, pasi i ka filmuar dhe regjistruar bisedat me ta dhe ku qartësisht flitet për përqindje.

Si doli emri i ish-prefektit të Shkodrës në këtë çështje

Hetimet për zbulimin e grupit të fajdexhinjve në Shkodër kanë nisur që prej janarit pas denoncimit të bërë nga ish-prefekti i Qarkut Shkodër, Paulin Radovani.

Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak ishte për shumë vite me radhë edhe një biznesmen i njohur në Shkodër, sipërmarrës në fushën e fasonerisë. Në gjithë këto vite erdhi duke përforcuar biznesin e tij, derisa prej 2-3 vitesh nisi një histori e paparashikuar. Dy djemtë e tij, njëri prej të cilëve anëtar në Këshillin aktual të Bashkisë Shkodër, Elton Radovani, si shkak i vesit të bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove, nisën duke marrë hua shuma të mëdha parash te persona të ndryshëm në Shkodër, të cilët ia lëshonin me një përqindje që varionte nga 3- 20%, siç bën të ditur Prokuroria e Shkodrës.

Këto fajde bënë që ishprefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij për kthimin e parave. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë, ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që t’i bënin edhe presione. Në një moment, ishprefekti edhe është goditur teksa ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij, ndërsa mësohet se ka dy urdhra mbrojtjeje nga Gjykata, pikërisht për shkak të këtyre problemeve.