AKTUALITET, 11 Korrik 2018, 11:08

Elvis Rroshi pranon dënimet, arrestimet dhe dëbimet në Itali, Zvicër dhe Gjermani

Elvis Rroshi pranon dënimet, arrestimet dhe dëbimet në Itali,

Ish kryebashkikau i Kavajës, Elvis Rroshi, mik i ngushtë i kryeministrit Edi Rama i dha fund përpjekjeve për t’u shfaqur në publik si qytetar me një të kaluar të pastër. Rroshi kërkoi gjykim të shkurtuar në procesin ku akuzohet për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, dokument në të cilin ka fshehur dënimet, arrestimet, dëbimet dhe masa të ndryshme sigurie dhe shtrënguese në Itali, Zvicër dhe Gjermani.

Me kërkesën për gjykim të shkurtuar, Rroshi praktikisht pranon akuzat e prokurorisë pet “Falsifikim të vulave, stampave apo formularëve”, duke i dhënë fund mohimit që i ka bërë të vërtetës për shumë kohë. Gjatë seancës në gjykatën e Tiranës, Rroshi mësohet se është justifikuar me faktin se duhej të kishte marrë avokat në momentin e plotësimit të formularit të dekriminalizimit.

Elvis Rroshi fitoi për dy mandate rresht Bashkinë e Kavajës, deri kur Prokuroria e Përgjithshme zbuloi problemet që kishte pasur ai me ligjin.

“Gjithashtu në vitin 2015, DEA/USA ka informuar autoritetet zviceriane se ata po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash, nuk ka detaje të mëtejshme në lidhje me këtë. Autoritetet zviceriane po kryejnë hetime të mëtejshme, nëse do të ketë më shumë informacion” thuhej në njoftimin e prokurorisë kur u bënë publike akuzat ndaj Elvis Rroshit.

Për vite me radhë, Edi Rama e mohoi të kaluarën e bashkëpuntorit të tij në Kavajë duke ironizuar akuzat e opozitës. Një ndër veprat penale ku ishte përfshirë Elvis Rroshi në Itali, ishte edhe ajo e përdhunimit në grup.