SPORT, 12 Shtator 2020, 14:36

Ekzekutohet mundësi 27-vjeçar iranian, ishte dënuar me vdekje

Ekzekutohet mundësi 27-vjeçar iranian, ishte dënuar me vdekje

Mundësi iranian, Navid Afkari, është ekzekutuar mëngjesin e sotëm në burgun ku mbahej prej gati dy vitesh, pasi ishte dënuar me vdekje për vrasjen e një rojeje sigurie me thikë, gjatë protestave të vitit 2018.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia prestigjoze e lajmeve ‘Reuters” e cila citon mediat lokale të raportojnë se mundësi 27-vjeçar është ekzekutuar paraditen e sotme, pasi ishin kryer të gjitha procedurat ligjore.

Afkari u dënua për vrasjen e Hassan Turkman, një roje i sigurisë i ndërmarrjes së ujit, por dhe akuza të tjera. Gjykata e Lartë e Iranit refuzoi një rishikim të çështjes në fund të gushtit, ndërsa përveç mundësit, u dënuan edhe dy vëllezërit e tij, përkatësisht me 56 dhe 27 vite burg.

Për anulimin e dënimit me vdekje të mundësit 27-vjeçar u angazhuan sportistë iranianë e jo vetëm, ndërsa edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i bëri thirrje Iranit t’i kursejë jetën Afkarit.

Ky i fundit, në një incizim audio të dalë nga qelia ku mbahej nën arrest, tregon se e kanë torturuar për të pranuar fajin, ndërsa edhe avokati i mundësit konfirmoi se 27-vjeçari u dënua pa prova konkrete.

Ndërkohë më herët këtë javë, një grupim i madh prej më tepër se 82 mijë atletësh nga e gjithë bota, kërkuan unanimist përjashtimin e Iranit nga çdo aktivitet sportiv botëror, nëse ekzekutohet mundësi Afkari.

Megjithatë lutjet, thirrjet e presioni nuk ndikuan aspak që në Iran të kursehej jeta e sportistit 27-vjeçar i cili u ekzekutua pikërisht mëngjesin e sotëm.