TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama, do të udhëtojë drejt Londrës, për të marrë pjesë në konferencën e 13 të Henley & Partners, "Global Citizenship Conference", (Konferenca Globale e Nënshtetësisë), e cila do të mbahet në datat 11-13 nëntor. Henley & Partners është një firmë me zyra në 30 vende të botës, që merret me nënshtetësitë dhe rezidencën, kryesisht për klientë të pasur, nëpërmjet programeve të nënshtetësë, pra pajisjen e këtyre personave apo familjeve të pasura me pasaporta të dyta apo të treta. Në këtë mënyrë ata përfitojnë nga të drejtat që kanë residentët e këtyre vendeve, në këmbim të investimit të parave. Është e paqartë nëse qeveria shqiptare po mendon të adoptojë një program për shitjen e pasaportave shqiptare për të pasurit, në këmbim të investimeve, por kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në këtë konferencë dhe qeveria shqiptare është gjithashtu e listuar në faqen zyrtare të këtij eventi, si partnere e konferencës, sëbashku me qeveritë e Malajzisë, Maltës, Malit të Zi dhe St. Lucias. Kryeministri gjendet në listën e folësve në këtë konferencë me emrin Edvin Rama, të cilin e ka ndërruar shumë kohë më parë, ndaj kjo renditje duhet të jetë një lapsus i organizatorëve. Mbetet për t'u parë nëse qeveria shqiptare do të adoptojë një program për shitjen e pasaportave, praktikë kjo e kritikuar gjerësisht nga Komisioni Europian, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë, pastrimin e parave dhe evazionin fiskal. Tre vende të Bashkimit Europian që operojnë këto skema, janë Bullgaria, Qipro dhe Malta. /TPZ.al/