AKTUALITET, 24 Korrik 2019, 11:34

Edmond Budina i përlotur nga Teatri: Mos u shisni për një copë bukë!

Edmond Budina i përlotur nga Teatri: Mos u shisni për një


Regjisori dhe qëndrestari më i zëshëm për çështjen e Teatrit Kombëtar, Edmond Budina u ka bërë thirrje mes lotëve artistëve dhe kolegëve të tij të mos tërhiqen, por të vazhdojnë betejën për mbrojtjen e godinës. Tentativat për shembjen e kësaj të fundit, i ka cilësuar si fundin e demokracisë në vend.

“Është një nga ditët më të dhimbshme të jetës sime. I bëj thirrje dhe kryeministrit, që më ke zënë prej krahu dhe më ke tërhequr zvarrë, u bëj thirrje të gjithëve që të mos tentojnë më që të prishin këtë pasuri kombëtare. Unë them që ky është fundi i demokracisë shqiptare, ky është një regjim fashist, prandaj ky popull duhet të ngrihet i gjithi në këmbë.

Teatri do të jetë varreza e fundit e këtij regjimi. Unë falenderoj popullin e Tiranës që na ka mbështetur dhe është pranë nesh. Të dashur miq mos u shisni për një copë bukë, hajdeni që të jemi bashkë, të ngrihemi të gjithë bashkë për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë.

Unë nuk marr përsipër për të thënë se si do të vijojë aksioni, unë nuk bëj deklarata se do të japim jetët tona, pasi këto patetizma nuk na shkojnë, ama rezistenca jonë nuk do të ndalet, kaq. Ne kërkojmë që të ketë një teatër të ri dhe rikonstruktimin e kësaj godine“-është shprehur regjisori Budina përpara mediave.

Edhe në brendësi të ambienteve të Teatrit Kombëtar, Budina i ka mëshuar thirrjes së tij. “Ju lutem, ju lutem mos e lini këtë teatër të shembet. Ruajeni këtë shenjtëri për të ardhmen, për fëmijët tuaj, për të treguar se në këtë teatër kanë luajtur kollosët. Ndërtoni një teatër të ri diku tjetër”