TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Edi Reja ka një vendim të rëndësishëm për të marrë për dy ndeshjet e radhës të përfaqësueses shqiptare të futbollit. Trajnerit i duhet që të emërojë një kapiten të ri, pasi ata të cilët kalonin dorë më dorë shiritin më përpara, nuk janë pjesë e grumbullimit kuqezi.
Në fillimin e eliminatoreve, vetë grupi i lojtarëve zgjodhi që Mavraj të ishte kapiten i parë, me Hysajn të dytë e më pas Bashën. Por ky i fundit u tërhoq nga Kombëtarja ndërsa së fundmi Mavraj e Hysaj mungojnë në grumbullimin e tetorit për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar.
Kësisoj, trajnerit i duhet të gjejë një emër të ri për t’i vënë në krah shiritin, edhe pse sinjalet e para u dhanë që në ndeshjen kundër Islandës. Në minutat e fundit të sfidës, kapiteni Hysaj u detyrua të braktiste fushën e lojës për dëmtim dhe në ato momente, personi të cilit ai iu drejtua duke i dorëzuar shiritin ishte një nga futbollistët më me eksperiencë në radhët e kuqezinjve, Ledian Memushaj.
Ky pritet të jetë edhe zgjedhja e parë e Rejas, apo vetë grupit të lojtarëve, nëse do të jetë titullar në ndeshjet e ardhshme, kjo edhe për faktin se emra si Berisha e Roshi, të cilët janë ata me më shumë ndeshje në radhët e kuqezinjve, mund të mos jenë titullarë të paktën në duelin ndaj Turqisë.