AKTUALITET, 12 Dhjetor 2020, 13:15

Edi Rama nuk di më kujt t'i drejtohet për "dialog": Iliri, Saliu, Luli, Monika, gjella, kapuçët, pushteti...

Edi Rama nuk di më kujt t'i drejtohet për "dialog":


Kryeministri Edi Rama, i gjendur përballë protestave të qytetarëve pas vrajses së Klodian Rashës, duket se nuk ka se kujt t'i drejtohet për "dialog", siç bënte në protestat e studentëve.

Në pamundësi për t'i gjetur "kokën" protestës, Edi Rama ka lëshuar një status, për Ilir Metën, Sali Berishën, Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën edhe pse asnjë nga këta të fundit, nuk ka lidhje me protestën dhe nuk ka bërë thirrje për protesta. Pavarësisht se pushteti ulëret, se kjo protestë po sponsorizohet nga opozita, ata nuk kanë paraqitur asnjë provë për këtë.

Ndërkohë, duket se protestuesit e kanë kthyer vëmendjen nga Partia Socialiste, duke djegur paraditen e sotme selinë e kësaj partie në Shkodër. Ata kërkojnë largimin e Ardi Veliut, për të cilin Edi Rama dha sinjale se nuk do ta lëshojë, duke dalë krah për krah në media me të, mbrëmjen e djeshme.

Reagimi i Ramës:

"Kur policia reagoi ndaj një provokatori famoz gjatë ushtrimit të dhunës opozitare tek Kuvendi, Ilir Meta vrapoi në spital për të vizituar heroin e dhunës! Kur policit të shtetit, i nxjerrin syrin dhunuesit me kapuçë të nxitur prej tij e Saliut, Ilir Meta dënon dhunën policore

Sipas Ilir Metës policia nuk duhet të reagojë, po duhet të dorëzojë Tiranën dhe veten në duart e dhunuesve të verbër, që ai bashkë me Saliun të bëjnë Lulin dhëndërr të pushtetit dhe Monikën arkëtare të shtetit, si në kohët e arta të bashkëqeverisjes me plumba mbi protestuesit!

Por Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre dhe sado ëndrra të shohë Luli duke mbajtur lugën në dorë që t'i vijë gjella e Monikës, Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara, me mund e durim, për t'u bërë ajo që duan fëmijët e saj!", shkruan kryeministri.

/TPZ.al/