TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Andi Bushati
Sali Berisha me sa duket ka vendosur të adoptojë një qasje perfide ndaj vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta reshtuar atë në listën e errët të politikanëve « non grata » të shpallur nga Uashingtoni. Në konferencën e shtypit të organizuar këtë të enjte ai i shpërfaqi hapur synimet e tij : «Bëni ç‘të doni me vendimin tuaj për të mos më lejuar të shkel në tokën amerikane, por ama, loja ndryshon, kur doni ta përdorni këtë për të më nxjerrë edhe nga politika në Shqipëri ».
I gjithë lajtmotivi që ish kryeministri përdori në bashkëbisedimin e tij mbi një ore me gazetarët ishte pikërisht ky, se sekretari i shtetit nuk ka nevojë të bëjë publike prova dhe fakte, kur është fjala për ti ndaluar atij hyrjen në SHBA, por paraqitja e tyre bëhet e domosdoshme, për të penguar qenien e tij në grupin parlamentar të PD-së.
Me këtë synim të përcaktuar qartë ai, ai tha se po kërkonte nga gjykata e Parisit provat që ka SHBA për minimin që i ka bërë demokracisë dhe për korrupsionin me fondet publike. Ai e ironizoi ambasadoren Kim, duke theksuar se bar hanë ata që besojnë akuzat pa fakte. Së fundi bëri edhe premtimin për tërheqje përfundimtare nga politika, nëse dikush i nxjerr qoftë edhe një dokument të vetëm që provon fajësinë e tij.
Duket se strategjia që ka zgjedhur Berisha, nuk është ti kthejë mendjen diplomatëve amerikanë, që për ditë e më shumë po shfaqen të prerë në qëndrimet kundër tij, por të rikuperojë në publik, pas goditjes së fortë që ka marrë dhe të pengojë me sa mundet përshkallëzimin e situatës.
Sepse, nëse ndaj vendimit për shpalljen non grata, që erdhi menjëherë pas zgjedhjeve, ish lideri historik i PD-së e kuptoi se ishte i pafuqishëm për të ndryshuar diçka, ndaj shantazheve që Yuri Kim po i bën Lulzim Bashës për të vrarë atin e vet politik, Berisha e ndjen se ka ende një rol për të luajtur.
Dhe për të arritur këtë, ai po i adresohet atyre vlerave, që janë në ADN e politikanëve realisht demokratikë, por të cilat ai shpesh i ka nëpërkëmbur në karrierën e tij.
Ai po kërkon ta zhvendosë lojën tek parimet e transparencës, të vërtetës, të mos linçimit të njerëzve pa prova, të mos zhvillimit të gjuetive të shtrigave pa fakte.
Pra, ajo që po synon është e thjeshtë: nëse nesër KQZ-ja do të marrë në shqyrtim praninë e tij në parlamentin e ardhshëm, kjo duhet të bëhet në bazë të dokumenteve dhe akteve konkrete dhe jo duke e trajtuar si njeriun e shpallur armik nga hiperfuqia. Nëse PD do të detyrohet të debatojë kërcënimet e Yuri Kim, lidhur me prezencën e tij në grupin parlamentar, diskutimi nuk mund të zhvendoset në rrafshin debil se « kështu na kanë thënë amerikanët ».
Dhe duhet pranuar se, në gremçën që ka gjetur, ujku plak i politikës ka të drejtë.
Nuk besoj të gjendet shqiptar me mend në kokë, me gjykim të pavarur dhe me arsye të shëndoshë, sado që ta përbuzë apo mos e dojë Berishën, që të kërkojë goditjen e tij sepse këshu ka ardhur urdhëri nga përtej oqeanit. Me përjashtim të ndonjë sahanlëpirësi që flet për llogari të rilindjes, ose të dikujt që i janë errur sytë nga urrjetja, askush nuk e preferon një demokraci, ku vullneti i vendit më të madh nuk e përfill shtetin tonë ligjor.
Për më tepër një histori të ngjashme e kemi ndjekur jo shumë kohë më parë në Kosovë. Të gjithë e mbajnë mend turmën e trutharëve që bërtisnin me të madhe në rrugë se qeveria Kurti duhej rrëzuar, se atë se donte një birbo si Grenell, apo vetë djali i Trumpit, se Kosova do të humbte aleatin e saj të madh, se do të iknin investimet, se NATO do të largohej, po mos zbatohej urdhri i secilit gringo që kalonte andej pari.
Natyrisht, asgjë nga këto nuk ndodhi, trupat ushtarake dhe fondet amerikane mbetën po aty, veçse Kosova humbi më shumë se një vit në luftën e saj për ç‘kapjen e shtetit, sepse iu bind vullnetit të idiotëve të dobishëm që i flisnin në emrin e madh të Amerikës.
Natyrisht si ç‘do krahasim që çalon edhe ky i fundit as nuk mëton të barabisi dy figura aspak të ngjashme si Albini dhe Saliu, por ai vlen për të kuptuar se jo gjithçka që thuhet në emër të SHBA mban me vete edhe vulën e së vërtetës.
Kështu po ndodh edhe këtë herë, kur pasi i dhanë një goditje të fortë politike, një grup diplomatësh nga Amerika, po tentojnë ta likudojnë edhe juridikisht Berishën.
Dhe kjo në një shtet demokratik nuk mund të ndodhë pa prova. Pikërisht këtë lojë ka kapur edhe ish kryeministri që po reket ti mëshojë fort këtij argumenti.
Është e vërtetë që Berisha sot, në rastin e tij më fatlum, do duhej të ishte në Lalëz duke u kujdesur për niprit, është po ashtu e vërtetë që PD duhej të ishte divorcuar nga pjesa më e keqe e trashëgimisë së tij. Por nëse asnjëra prej këtyre gjërave normale nuk kanë ndodhur dhe kjo, aq më pak, mund të bëhet me një ndërhyrje anormale të diplomatëve nga SHBA. Nëse sfida e vërtetë e shoqërisë shqiptare është ndarja përfundimtare më këtë lloj politikani, kjo nuk mund të bëhet përmes një berishizmi të ri, të importuar me etiketën «made in USA». Ne nga SHBA nuk kemi nevojë të bëjë detyrat tona të shtëpisë, duke na spastruar skenën politike, ajo që na ndihmon është të mos trajtohemi si barngrënës, që janë të padenjë për dëgjuar fakte, sepse sillen kolulur ndaj urdhrave. /Lapsi.al/