TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Andi Bushati
Rrahja e shpatullave të Edi Ramës nga presidenti francez Makron, duket në pamje të parë si një dhuratë e paçmuar për kryeministrin shqiptar që sapo ka hyrë në fushatë elektorale. Por, përtej rojes së nderit në pallatin Elysee, ngjitjes së shkallëve të “kështjellës” dhe njoftimit të shkurtër që u dha se “të dy udhëheqësit kishin diskutuar për investimet europiane në rajonin tonë”, ka një realitet shumë më të trishtë se ai i pamjeve të pritjes ceremoniale.
Për një kohë të gjatë Parisi është bërë diga kryesore që pengon hapjen e negociatave të Tiranës me Brukselin. Për këtë vetë presidenti francez, madje edhe gruaja e tij kanë qenë pre e sulmeve të mediave proqeveritare të Tiranës. Dhe kjo për shkakun se Makron tha me zë dhe me figurë një të vërtetë të thjeshtë, atë se nuk qe vetëm vendi i tij, por gati gjysma e anëtarëve të BE që ishin kundër avancimit të Shqipërisë.
Nuk ka diskutim që në këtë ansambël Franca ka pasur një rol kryesor dhe këtë e ka pranuar me gojën e saj ish ministrja franceze për Europën, Nathalie Loiseau, gjatë fushatës për zgjedhjet europiane, ku ajo kryesonte listën e partisë presidenciale “Republique en marche”
Ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë, isha unë si ministre… Franca luftoi për tetë orë në atë mbledhje për të bindur partnerët që të thonin jo. Këtë e bëri vetë edhe presidenti Makron”, deklaroi Loiseau për radio franceze RTL, duke iu referuar dështimit tonë në vitin 2018. Më shumë ka sqaruar vetë Makron me gojën e tij në tetor 2019, gjatë një fjalimi në Këshillin e Europës, në Strasburg. Ai tregoi me gisht kërkesat për azil politik që vijnë edhe nga vende “që kërkojnë të hapin negociatat e pranimit me BE”.
Në fakt kushdo që e njeh sadopak politikën e Parisit zyrtar ndaj Shqipërisë nuk e ka të vështirë të dallojë dy probleme kryesore. I pari është numri i lartë i azilkërkuesve, që në periudhën e qeverisë Rama ka shkuar nga nga 339 kërkesa në vit, në 9251 që u regjistruan në 2019. Shumë ministra të brendëshëm të disa qeverive me radhë i kanë kërkuar edhe Saimir Tahirit, edhe Fatmir Xhafës edhe Sandër Lleshit ndalimin e kësaj hemoragjie që e ka renditur Shqipërinë në vendin e dytë në botë në raport me numrin e popullësisë, duke e reshtruar direkt pas një vendi në luftë si Siria. Dhe administrata franceze është e qartë se prej nga vjen ky fluks. Në një artikull të gjatë mbi këtë fenomen revista e përjavshme me prirje të majta “Marianne” citonte një raport të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku Shqipëria përshkruhet si një vend “I penalizuar nga korrupsioni, me një kriminalitet të madh dhe ku shteti ligjor nuk funksionon”.
Pra, nëse do të bëhet një portretizim i thjeshtëzuar i asaj çka përfaqësonte njeriu që sot ngjiste shkallët e pallatit Elysee, ai ishte aty si kreu i një qeverie që nuk funksionon dhe që eksporton emigrantë në Francë.
Kaq majfton për të kuptuar se si i shikojnë në Paris “arritjet” e Shqipërisë, dhe se sa duhet të entuziazmohemi ne për pritjen që iu bë Edi Ramës. Ajo nuk ka asnjë vlerë për qytetarin e thjeshtë. Ajo nuk ndryshon asgjë në shpresat tona për të parë më shpejt dritën e gjelbërt nga BE. Ajo nuk lëviz asnjë presje nga ato që janë të shkruar në dosjet e administratës.
Natyrisht, pamjet që pamë sot nga pallati Elysee, fërkimin e ekzagjeruar të shpatullave dhe drekën e parashikuar në axhendën e presidencës, Edi Rama do ti përdorë si një spot për fushatë. Por kapërcimi i atij pragu nuk përbën garanci as për atë vetë, e aq më pak për vendin që ai përfaqëson. Boll të kujtojmë se, pikërisht aty, Muhamar Kadafi ngriti çadrën e tij, vetëm katër vite përpara se pallati i tij të bombardohej nga aroplanët luftarakë francezë, ndërsa Bashar Al Asadi ishte i ftuari i nderit i parakalimit të 14 korrikut, përpara se ti kthente Francës mbarapsht dekoratën e Legjonit të nderit. /Lapsi.al/