TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Ermal Mulosmani
Si sot tre javë do jetë heshtje zgjedhore. Gjithë rrëmuja, zhurma, hallakama e këtyre zgjedhjeve do fashitet për një ditë. Do jetë si heshtja para gjuajtjes së penalltisë së fundit, një heshtje e ankthshme që edhe më shumë ta shton padurimin.
Do doja shumë të kisha fuqinë të shkoja menjëherë te ajo ditë.
Fushatat zgjedhore nuk sjellin asgjë përpos blerjes së votës dhe transferimit të vullnetit të vërtetë në atë të blerë. Pakkush dëgjon ligjërimin e dikujt që ka qeverisur për qejf të vet për 8 vjet. As edhe të atij që pretendon të vijë në pushtet si alternativë. Vota e shqiptarëve ka qenë gjithmonë e ndikuar nga Kryeministri që i ka qeverisur, e kanë konfirmuar apo kundërshtuar atë. Në këtë kontekst, të gjithë nën zë e pranojnë : “Vota e 25 Prillit do të jetë një votë pro ose kundër Edi Ramës”.
Rreziku i Ramës është se tashmë njerëzit e njohin mirë. Ai nuk mund të thotë më: “Nuk keni parë asgjë akoma”. Edhe timoni nuk vlen më, ia dhamë jo vetëm timonin por gazin, frenat, freksionin dhe gjitha sediljet, mund të ulte kë të donte në to dhe të na çonte ku të donte.
Duke i ditur fort mirë këto disavantazhe, Rama u mobilizua si kurrë më parë me propagandën, në një fushatë të gjatë, monotone e të lodhshme mediatike. Ai e ndjente aq shumë frikën se qytetarët do të votonin kundër tij saqë për herë të parë vendosi të ndante Shqipërinë në dy pjesë: Tirana dhe pjesa tjetër. Lideri i Tiranës për Partinë Socialiste do të ishte Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë.
Veliaj e mori me zell të madh detyrën e ngarkuar.
Ishte Gushti 2020, 8 muaj përpara, kur një koleg gazetar më dërgoi një shkrim me titull: “Erion Veliaj, ai që ka në dorë betejën e PS-së” me sugjerimin për ta publikuar edhe në Express. Sigurisht e refuzova pasi dukshëm ishte një shkrim propagandë.
Ai shkrim u publikua menjëherë në të gjitha portalet pro qeveritare. Mund të klikoni me atë titull dhe do habiteni sa shumë portale, në të gjithë Shqipërinë, e kanë publikuar.
Erion Veliaj po pregatiste terrenin e vet. Zgjedhësit e tij le të prisnin një vit se nuk u bë qameti. Ai kishte një qëllim më “të lartë” sesa t’i shërbente zgjedhësve të tij; duhej të konfirmohej si çelësi i fitores së Ramës dhe të pregatiste ardhjen në krye të Partisë pas katër vitesh.
Qysh nga Shtatori e deri tani, “Kryeshërbëtori” i Tiranës është krejtësisht në dispozicion të fushatës elektorale. Atë e gjen çdo ditë nëpër katunde apo njësi bashkiake duke mbajtur fjalime elektorale, duke imituar shefin e tij në sharje, gjeste apo batuta. Fjalimet e tij të montuara, transmetohen sikur janë “live” në mediat online dhe ato informative.
Kjo ka tetë muaj që ndodh përditë. Tetë muaj që qytetarët presin që Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit të kthehet në punë.
*************
Një njeri që i duhet të bëjë rrugën nga periferia e afërt e Tiranës, fjala vjen nga Kopshti Zoologjik deri në Tiranën e Re, është i tmerruar nga kalvari që i del përpara. Njëmijë peripeci e presin qysh në fillim të ditës duke ia sterrosur njëfarë entuziasmi që sjell mëngjesi. Mizëri makinash të ngecura në trafik, shoferë që shajnë e bori që bien papushim. Një betoniere ka bllokuar rrugën, tre makina kanë parkuar dyshe dhe njerëzit që shfryjnë dufin. Ritual i përditshëm. Policët e Bashkisë nuk gjenden për të gjobitur shkelësit, pritja bëhet e gjatë, e kur ndodh çlirimi nga trafiku, e hedhim prapa krahëve si një normalitet torturues.
Nëse je këmbësor dhe vendos të presësh urbanin, aha, qaje ditën. Ka vetëm një linjë urbane që kalon asaj ane, nuk ka orar të caktuar kur mbërrin autobusi. Pasagjerët presin më kot. Ndodh shpesh që pret 50 minuta dhe pasi humbet çdo shpresë nisesh në këmbë duke mallkuar veten pse nuk u nise prej në fillim. Ndodh që autobusi mbërrin plot me njerëz, e, shumë prej tyre nuk kanë maskë.
Nuk di çtë bësh…
Rrugëtimi në këmbë më ka kthyer në vrojtues të vëmendshëm të kaosit urban. Sapo futesh në rrugën e Kosovarëve, një nga zonat që dikur ishte nga më të kërkuarat e Tiranës, sytë të zënë pallate të reja me një dendësi të frikshme. Një pallat i vjetër, i gjorë, 5 katësh, ishte rrethuar gjithandej nga skelat e larta të 4 shumëkatëshve që e kishin rrethuar kërcënueshëm. Dielli për të kishte mbetur një kujtim i së shkuarës.
Klientët e Bashkisë kanë marrë lejet e ndërtimit dhe i janë vërsulur çdo cepi tokë që kanë mundur të gjejnë në mes pallateve dhe po ngrejnë shumëkatëshet. Gjen gjithfarë forme shumëkatëshi, me bazë në formë trekëndëshi, trapezi, paralelopipedi, rombi apo shtatëkëndori. Boll të shfrytëzohet toka 90%. Për tu futur në pallatet e reja janë lënë ca rrugicëza si monopate fshati që të çojnë në hyrjen e ëndërruar. Betoni na ka pushtuar, ustallarët me kokore sipër skelave janë ngado të ngresh kokën.
Nga dritarja, banori sheh vetëm skela dhe punëtorë me uniformën e gjelbërt. Në heshtje shfryn dufin. Shan Velinë, Çiljetën, Noizyn, Tarifën, Ndrenikën e përdorur dhe Tinkën e mirë….
Do të shesë shtëpinë por nuk ia blen njeri. Si t’ia blejë atë vrimë në hijen e atyre gjigandëve të betonit?
Porosit një murator tia mbyllë atë dritare prej ku hyn dhuna e pushtetit dhe pret ditën kur të bërtasë në kutinë e votimit.
Në zyrat e Bashkisë ka lënë Maznikun që kapardiset tavolinave e shqyen taljatet te Nusreti, flen në hotele me 908 dollarë nata dhe shtrihet kolltuqeve të Fevziut me i-pad duke mbrojtur sondazhet e Batonit. Një ironi therëse me hallet e njerëzve.
Votuesit shqiptarë, masa që përcakton fituesin, ajo shtresa gri që herë voton majtas e herë djathtas këtë herë nuk do votojë me mendje por me zemër! Mospërfillja e plotë ndaj halleve të përditshme të njerëzve, bërja njësh me klientët e ndërtimit, gjobat abuzive të inspektorëve me stilin “e ke në faturë të ujit”, kjo politikë arrogante nuk do na lërë të mendojmë se për kë po votojmë.
Kryefjala është “Me zemër kundër Veliajt”!/Gazetaexpress/