SPORT, 11 Gusht 2018, 16:50

E la jashtë Europianit, tani De Biazi çon Gjimshitin te Sampdoria

E la jashtë Europianit, tani De Biazi çon Gjimshitin te Sampdoria

Një nga pengjet më të mëdha të Xhani De Biazit gjatë viteve të tij në drejtimin e Shqipërisë është se nuk ka marrë Berat Gjimshitin në Euro 2016. Trajneri ka pranuar se lënia jashtë e lojtarit ishte një nga vendimet më të vështira që ka marrë në karrierën e tij.

Ndoshta kjo është një nga arsyet që po shtyn ish-trajnerin e Shqipërisë të ndihmojë lojtarin të transferohet në radhët e Sampdorias, ashtu siç bëri disa vite më parë kur i siguroi mundësinë t’i bashkohej Atalantës.

Gjimshiti do të largohet nga bergamaskët, të cilët nuk e kanë në planet e tyre mbojtësin të cilin e kanë dhënë huazim në këto sezone, te Avelino dhe te Benevento. Për lojtarin po interesohen klube të ndryshme, mes të cilëve Sasuolo, por sipas “Il Secolo XIX”, në garë tashmë është edhe Sampdoria.

Kjo e fundit kërkon Tonelin, por kërkesat e larta të Napolit për të, 7 milionë euro, kanë bërë që gjenovezët të hedhin sytë nga opsione me kosto më të ulët. Në këtë mes ka ndërhyrë De Biazi, i cili është një mik i drejtorit sportiv, Osti. Ai i ka këshilluar këtij të fundit të marrë mbrojtësin shqiptar, ndaj pritet që në javët në vijim të nisin bisedime mes palëve për transferimin e mundshëm të Gjimshitit te Sampdoria.