AKTUALITET, 13 Dhjetor 2020, 15:13

Dymbëdhjetë të vdekur dhe 462 të infektuar me koronavirus në Kosovë

Dymbëdhjetë të vdekur dhe 462 të infektuar me koronavirus

Në Kosovë të dielën janë regjistruar edhe 12 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në raportin ditor të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thuhet se nga testimi i 1.314 mostrave, janë konfirmuar edhe 462 raste të të infektuarve me koronavirus.

Aktualisht raste aktive janë 11.782, ndërsa të shëruar nga COVID-19 janë raportuar edhe 536 pacientë.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 46.580 të prekur nga sëmundja COVID-19, prej tyre 1.198 kanë vdekur ndërsa 33.600 janë shëruar.

Të dielën kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se se në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria në konsultim me profesionistët shëndetësorë, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%.

"Numri i të infektuarve për 100,000 banorë ka rënë nga 257 në 100 raste. Por, situata mbetet e rëndë dhe jemi të detyruar të mbajmë masat pasi burimet e infeksionit janë kudo, në veçanti në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve", tha Hoti.

Institucionet e vendit, sipas tij, janë duke u përgatitur për vendosjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit./REL