AKTUALITET, 13 Dhjetor 2020, 14:07

Sinoptikanët: Javën e ardhshme temperaturat do të ulen ndjeshëm

Ndryshe nga java e shkuar, moti javën e ardhshme duket se do të jetë pa reshje shiu.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak shkruan se nga dita e hënë deri ditën e premte, moti do jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit.

Ndërkohë, temperaturat do të pësojnë rënie veçanërisht në pjesën e mëngjesit me vlera negative në zonat malore.

Njoftimi:

Java që lamë pas u karakterizua kryesisht nga moti i vranët dhe reshjet e shiut ndërsa sa i përket javës që presim përpara nuk do të jetë më nevoja të mbajmë çadrat me vete.

Në këtë mënyrë duke nisur nga dita e Hënë (nesër) e deri ditën e Premte moti do jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit si dhe vranësira të pakta kalimtare kryesisht në relievet malore.

Ajo që vlen për tu theksuar për këtë javë janë temperaturat e ulëta dhe të ftohta të mëngjesit të cilat në relievet malore do të jenë kryesisht në vlera negative.

Sa i përket erës, ajo do të jetë intensive dhe e fortë vetëm ditën e nesërme me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut dhe shpejtësi e cila do të arrijë deri në 20-25m/s kryesisht përgjatë vijës bregdetare.

Më pas duke nisur nga dita e Martë e deri në fund të javës era do të fryjë e qetë.