AKTUALITET, 13 Dhjetor 2020, 12:10

“Në janar duhet të nisë vaksinimi për mjekët, ndryshe …”, Tritan Shehu: Po ballafaqohemi me të dhëna të trishta

“Në janar duhet të nisë vaksinimi për mjekët,

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, e cilësoi një të dhënë të trishtë ndarjen nga jeta të mjekut anestezist, Mihal Kerci, dhe shumë mjekëve të tjerë shqiptarë, nga virusi i rrezikshëm Covid-19.

Duke folur në një lidhje me “Skype” për News 24, ish-ministri Shehu deklaroi se duhet bërë gjithçka që në ditët e para të janarit të vitit 2021 të nisë vaksinimi i personelit shëndetësor, pasi sipas tij, gjërat do të shkojnë më keq.

“Kjo është një e dhënë shumë e trishtë, me të cilën po ballafaqohemi. Deri ditën që u shtrua në spital, që u rëndua, kam komunikuar me Mihalin, takohesha e bisedoja me të. Po përgatiteshim për ca hapa shumë të rëndësishëm të Shoqatës së Anestezistëve Shqiptarë, për vjeshtën që vjen, pikërisht për përballjen me virusin.

Situata është serioze dhe Shqipëria ka numrin e mjekëve të humbur më të lartë në botë, në krahasim me numrin e mjekëve që kemi. Jemi në vendet ku numri i mjekëve të humbur ka arritur në nivele tragjike.

Punonjësit shëndetësorë po punojnë, duke sakrifikuar gjithçka. Kjo duhet të na bëjë të përkulemi me respekt para punës së tyre.

Duhet të mbledhim të gjitha forcat tona për t’i mbrojtur, që ata të jenë më të sigurt, pasi kjo bën që edhe qytetarët të jenë të sigurt.

Duhet të ketë masa të plota mbrojtëse sistemi shëndetësor. Brenda ditëve të para të janarit duhet të nisë vaksinimi i personelit mjekësor, ashtu siç do të ndodhë në vendet e tjera të BE.

Duke qenë të sigurt mjekët, janë më të sigurt edhe qytetarët. Kjo është një gjë e domosdoshme, që duhet bërë, ndryshe gjërat do të shkojnë më keq”, theksoi Shehu.