AKTUALITET, 13 Dhjetor 2020, 12:36

“Pikë shumice” me armë, arrestohet 37 vjeçari në Krujë

“Pikë shumice” me armë, arrestohet 37 vjeçari

Policia e Krujës ka goditur një rast të armëmbajtjes pa leje, duke sekuestruar 1 armë zjarri pushkë, 1 armë gjahu, 2 granata, 2 ndezësa, armë të ftohtë, si dhe municion luftarak, si dhe arrestuar në flagrancë poseduesin e tyre.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që disponojnë armë zjarri në banesë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontrroll në një banesë në Krujë dhe si rezultat kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, u arrestua në flagrancë shtetasi D. D., 37 vjeç, banues në fshatin Thumanë, Krujë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pushkë, 1 armë gjahu, 2 granata dhe 2 ndezësa, municion luftarak si dhe 1 armë e ftohtë (thikë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese

dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.