AKTUALITET, 20 Shtator 2018, 16:51

Drejtësia, Kuvendi zgjedh 4 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës

Drejtësia, Kuvendi zgjedh 4 anëtarë të Këshillit

Kuvendi zgjodhi sot katër nga pesë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Reformës në Drejtësi. Komisioni i Ligjeve i përcolli Kuvendit një listë me nëntë kandidatë, por vetëm Artan Spahiu, Irna Milo, Lindita Rusmajli, Sajmir Vishaj morën votat e nevojshme nga deputetët për t’u zgjedhur në strukturën e re që do monitorojë zbatimin e “Drejtësisë”.

Pesë kandidatët e tjerë Andi Murataj, Saimir Shehri, Gëzim Allaraj, Suzana Pasha dhe Ilir Kadiu, ishin më pak të votuarit nga ligjvënësit e mazhorancës.

Ndërkohë, Kuvendi nuk ka arritur të kompletojë trupën e kësaj strukture me pesë anëtarë dhe si rrjedhojë, gara duhet të hapet edhe një herë nga e para për një vend.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të zbatimit të Reformës në Drejtësi u zgjodhën vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita bojkotoi punimet e Kuvendit dhe zhvilloi një mbledhje paralele në Vlorë.