AKTUALITET, 29 Dhjetor 2020, 18:35

Arrestimi i bujshëm i oficerëve të policisë me 648 kg drogë, zbulohen pas 14 vjetësh gjurmët e gishtërinjve edhe të dy personave të tjerë. Detaje nga ngjarja

Arrestimi i bujshëm i oficerëve të policisë me 648 kg

Plot 14 vjet pas arrestimit të bujshëm të dy oficerëve të policisë së Sarandës, Ylli Kapo dhe Gentian Baba dhe shpalljes ne kërkim të Ermal Nikës e Peliban Mehmetajt për një sasie prej 648 kg marijuane, Prokuroria e Sarandës ka zbuluar ne pakot me droge gjurmët e gishtave edhe te dy personave te tjerë.

Kur të gjithë mendonin se kjo çështje ishte arkivuar pas dënimit përfundimtar të Kapos dhe Babajt me nga 5 vjet e 4 muaj burgim, Mehmetajt me 6 vjet e 8 muaj burgim (u ekstradua nga Italia në 2014) dhe dënimit në mungese te Ermal Nikes me 5 vjet e 4 muaj, gjurmët e gishtave kanë çuar në akuze edhe dy persona të tjerë.

Behet fjale për Alban dhe Gazmend Bashajn, të dy nga Lazarati. Më 13 korrik të këtij viti, analiza krahasuese e 10 gjurmëve të gjetura në 649 pakot e sekuestruara ne 16 korrik 2006, rezultoi se pesë prej tyre i përkisnin 30-vjeçarit Alban Bashaj nga Lazarati.

Më 5 gusht 2020, prokuroria e Sarandës cakton ndaj tij masën e sigurimit ne mungese “Arrest ne Burg” e cila ekzekutohet në Gjirokastër më 30 gusht 2020, gjatë një operacioni ku policia sekuestroi ne banesën e tij ne Lazarat edhe 10 rrënjë “cannabis sativa”.

Ne 1 shtator, Gjykata e Sarandes i komunikoi Bashajt vendimin e masës së sigurisë duke e dërguar në paraburgim, nderkohe qe ne 18 shtator nje gjurme e gjashte, ajo me germen “F”, e sekuestruar 14 vjet me pare, rezultoi e formuar nga pellemba e Bashajt duke i shtuar nje prove me teper prokurorise ne ceshtjen ne ngarkim te tij.

Megjithatë hetimet nuk përfunduan me kaq. Më 24 nëntor 2020, Prokuroria e Sarandës urdhëroi një tjetër ekspertim daktiloskopik krahasues dhe me aktin e 3 dhjetorit të këtij viti zbuloi se 2 gjurmë të tjera të sekuestruara në pakot me drogë, rezultuan të jenë të shtetasit Gazmend Bashaj nga Lazarati.

Më 19 dhjetor, Prokuroria e Sarandës cakton ne mungese ndaj tij masën e sigurimit “Arrest ne Burg”, qe ekzekutohet në Kukës më 22 dhjetor. Megjithatë në seancën e 23 dhjetorit, Gjykata e Sarandës vendosi te liroje Gazmend Bashajn me argumentin se e kishte vuajtur me pare dënimin për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”.

“Ndodhur në këto kushte kjo gjykatë vlerëson se jemi përpara gjësë së gjykuar dhe për pasojë i dyshuari nuk mund të procedohet dhe të dënohet dy herë për të njëjtin fakt”, u shpreh Gjykata duke ju referuar një dënimi të mëparshëm nga po kjo Gjykate, atij me nr. 23-2-13-1023 (61) te vitit 2013, ku Basha rezulton i dënuar me 5 vjet burg për te njëjtën çështje. Atehere Gjykata e Sarandës i bashkoi atij edhe dënimin me 4 vjet e 5 muaj burg te Gjykatës së Apelit Korçe për një ngjarje ku ai ishte kapur me 42 kg marijuanë dhe përfundimisht u dënua me bashkim dënimesh me 5 vjet burg.

Ngjarja

Në datë 07.12.2005 në Prokurorinë për Krime të Rënda është regjistruar procedimi penal nr.99 në ngarkim të shtetasit Xhelil Gervishi, më banim në Lazarat, Gjirokastër, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa nga të dhënat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në, Ministrinë e Brendshme, rezultonin të ishin pjesë e këtij trafiku edhe të gjykuarit Gentian Baba e Ylli Kapo, punonjës policie, dhe në këto rrethana janë regjistruar emrat e këtyre shtetasve në hetim në kuadër të procedimit të mësipërm.

Siç ka rezultuar nga provat e administruara në gjykim, të gjykuarit Pelivan Mehmetaj, Ylli Kapo e Gentian Baba janë takuar në datë 14.07.2006 në fshatin Borsh, qyteti Sarandë, ku ka qenë i gjykuari Pelivan Mehmetaj i cili u ka kërkuar të transportonin një sasi lënde narkotike nga fshati Derviçan i rrethit Gjirokastër deri në fshatin Piqeras të rrethit Sarandë.

Në datën 16.07.2006 të gjykuarit e mësipërm janë takuar edhe me të gjykuarin Ermal Nika dhe janë nisur me automjete të ndryshme nga qyteti i Sarandës drejt Gjirokastrës ku do të takonin edhe fugonin e ngarkuar me lëndë narkotike. Në fshatin Derviçan, fugonin e ngarkuar me lëndë narkotike e ka marrë në drejtim i gjykuari Ermal Nika. Autokolonën e mjeteve e udhëhiqte i gjykuari Ylli Kapo, i cili udhëtonte me mjetin Fiat Cupe, me targa TR 2890H, më pas vinte i gjykuari Gentian Baba me makinën e tij, më pas i gjykuari Ermal me fugonin tip Benz me targë M 041561 i ngarkuar me lëndë narkotike, dhe në fund i gjykuari Pelivan. Ka qenë i gjykuari Ylli i cili ka vënë re një makinë civile “të dyshimtë” dhe ka lajmëruar të gjykuarin Ermal që të ndryshonte drejtimin e lëvizjes.

Në afërsi të fshatit Vanë të Rrethit Delvinë, nga policia gjyqësore është gjetur e sekuestruar një makinë furgon tip Benz me targë M 041561, në të cilin u gjetën 648 kg lëndë narkotike kanabis sativa e paketuar në 651 pako e të futura në 26 çanta.

Duke qenë në ndjekje, policia gjyqësore arrestoi në flagrancë edhe të gjykuarit Gentian Baba e Ylli Kapo, që shoqëronin furgonin për të çuar në destinacion lëndën narkotike, por nuk u mundësua arrestimi i bashkëpunëtorit tjetër Pelivan Mehmetaj, i cili u largua, sikurse i gjykuari Ermal Nika.

Pelivan Mehmetaj nga Selenica u ekstradua nga Italia ne 16 dhjetor 2014, ndersa Ermal Nika vazhdon ende te jete ne kerkim.