AKTUALITET, 29 Dhjetor 2018, 14:32

DOKUMENTI/ Erion Veliaj si ndahet pallatit të Bashës, tjetër padi në Gjykatë

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka paditur sërish kreun e PD-së Lulzim Basha, pasi sipas tij ka ndërtuar pa leje, duke shpërdoruar edhe detyrën.

Në një shkresë bërë publike për mediat Bashkia e Tiranës kërkon prej gjykatës konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, të vendimit nr. 9305/9, datë 01.08.2014 të Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të lejes së ndërtimit nr. 9305/12, datë 25.08.2014 për strukturën “Shtesë 1 kat mbi strukturën ekzistuese 1 kat”, në rrugën “Skerdilajd Llagami” për pronën e regjistruar me nr. 6/121+2-29, ZK 8160, vol 22, faqe 90, pranë ZVRPP Tiranë në bashkëpronësi të Lulzim Bashës dhe bashkëshortes së tij Aurela Isufi (Basha) me zhvillues dhe subjekt ndërtues shoqërinë “ARCHIMED INTERNATIONAL” shpk.

Në kërkesë padinë e depozituar në gjykatë, Veliaj thekson se është evidente që ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka nxjerrë akte administrative për interesa private të tij të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe tjetërsimin e pasurisë në pronësi të tij dhe të bashkëshortes, një ‘rast i pastër i shfaqjes së interesave personale të ish-Kryetarit të Bashkisë dhe njëanësisë dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje nga ana e këtij të fundit’.