TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Protesta e dhjetë kombëtare e opozitës, ka qenë e mbushur me simbolika të ndryshme. Në këtë protestë kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, duke konfirmuar mbështetjen ndaj partive opozitare.
Presidenti i Republikës ka mbështetur për herë të parë në mënyrë të hapur protestën e opozitës, duke inkurajuar dhe ftuar protestuesit të protestojnë paqësisht.
"Ndaj ju ftoj të vazhdoni të protestoni vetëm paqësisht, për ta bërë kauzën tuaj edhe kauzën e shumicës së atyre që u detyruan të merrnin pjesë në farsën e 30 qershorit", shkruante presidenti.
Protestuesit kanë sjellë disa kuti të mëdha votimi dhe i kanë mbushur ato me fletë "Rama ik", duke ironizuar votimet e 30 Qershorit. Këto kuti ndiqeshin nga disa gomerë, të veshur me Bluzën "PS30", të ngjashëm me logon që mbaten Edi Rama gjatë fushatës.
Protestuesit kanë shpalosur pankarta të shumta. Mes tyre edhe një pankartë ku thuhej "85% Rama ik", duke nënkuptuar numrin e personave, që sipas opozitës nuk morën pjesë në votimet e 30 Qershorit.
Një tjetër simbolikë e kësaj proteste, ishin disa të rinj të cilët kishin vendosur fasha në gojë, me mbishtrimin "ERTV", duke thumbuar propagandën qeveritare e cila ushtrohet nëpërmjet televizionit të kryeministrit.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh se protestat e opozitës ngjajnë me ato të viteve 90', kur u shemb sistemi diktatorial.
"Janë protesta të shqiptarëve, protestat janë për të zgjidhur përfundimisht tranzicionin. Nuk ka bërë vaki që ky reagim qytetar i Shqipërisë, këtë reagim kaq të madh Shqipëria e ka patur vetëm në vitet ’90 kur u ngritën kundër regjimit"
Kryemadhi tha gjithashtu se mëkati i saj dhe LSI-së, ka qenë sjellja në pushtet e Edi Ramës në vitin 2013, për të cilën Kryemadhi tha se do të përgjigjet "para zotit".
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se 30 Qershori ishte dita kur shqiptarët i thanë jo regjimit të Edi Ramës.
"30 qershori hyri në histori si dita kombëtare e kurajës kur shqiptarët treguan se ata kanë forcën të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita e popullit kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës.
Vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe prapë i vodhi votat Edi Rama por ai nuk mundi ta fshehë dot braktisjen dhe refuzimin e një populli. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij, refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë dhe mungesën e shpresës", u shpreh Basha.
/TPZ.al/