AKTUALITET, 12 Maj 2018, 18:25

Detajet e reja/ Çfarë po ndodh me dosjen e Adriatik Llallës te Krimet e Rënda

Detajet e reja/ Çfarë po ndodh me dosjen e Adriatik Llallës te

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar tashmë dosjen hetimore në ngarkim të ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Ky i fundit po hetohet që nga muaji mars për 4 vepra të ndryshme penale. Dosja u hap fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, por ajo shpalli moskompetencë dhe për këtë arsye dosja u kaloi “Krimeve të rënda”, prokurori ku pak ditë më parë u shkarkua nga detyra, kreu i saj, Besim Hajdarmataj.

Vendin e tij e zuri Donika Prela, që më parë ishte e komanduar pikërisht në Prokurorinë e Durrësit që nisi hetimet ndaj Llallës.“Panorama” raporton se dosja i është caktuar prokurorit Klodian Braho.

Prokuroria Durrësit pati regjistruar procedimin penal në ngarkim të ish-Kryeprokurorit Llalla më 15 mars të këtij viti. Veprat penale, për të cilat po hetohet Llalla përfshijnë “refuzimin për deklarim, mosdeklarim, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë”, mosdeklarim të shumave të të hollave në kufi”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim detyre”.

Ndaj Llallës ka nisur verifikimi pasuror për shitjen e disa pronave pasi ka mospërputhje sa u përket shumave të deklaruara. Ai ka blerë toka me çmime shumë të ulëta kur ushtronte detyrën e Kryeprokurorit dhe pas rivlerësimit, vlerat e pronave janë rritur me dhjetëra herë.

Vetë ish-Kryeprokurori hoqi dorë nga privilegji ligjor për t’u zgjedhur gjyqtar në Apelin e Tiranës pas përfundimit të mandatit të tij në krye të Prokurorisë dhjetorin e shkuar. Në këtë mënyrë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me vendimin e datës 16.02.2018, vendosi që të ndërpresë procesin e rivlerësimit ndaj tij.

Pavarësisht dorëheqjes, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të shqyrtojë më 16 maj të këtij viti ankimimin e komisionarit publik, i cili kërkon që procesi i vetingut ndaj Llallës të kryhet. Nuk dihet ende nëse Llalla do të jetë prezent në seancë. Kujtojmë se ish-Kryeprokurori u përplas publikisht edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.