AKTUALITET, 14 Shkurt 2020, 13:29

DETAJE/ Tragjedia në Bulqizë, burri emigrant në Greqi, nëna me dy fëmijët u asfiksuan nga gazi ndërsa flinin

DETAJE/ Tragjedia në Bulqizë, burri emigrant në Greqi, nëna


Tragjedi në familjen Tola në Ostren të Bulqizës. Nëna, Rajmonda, bashkë me dy fëmijët, Rudinën dhe Fajtonin, kanë humbur jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesë, ndërsa Merita (vajza e vogël 14 vjeçe) ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

News 24 raporton se ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa tragjedia është zbuluar paraditen e sotme.

Sipas tij, ka qenë kunata e Rajmondës ajo që zbuluar tragjedinë, pasi kur shkoi t’u hidhte bagëtive për të ngrënë rreth orës 11:30, trokiti në derën e familjes dhe askush nuk iu përgjigj.

Pas tentativave për të hapur derën, ajo njoftoi fqinjët e saj, të cilët me forcë hynë brenda, por u përballën me skenën e rëndë.

Rajmonda bashkë me dy fëmijët kishin ndërruar jetë në banesë, ndërsa vajza e vogël kishte shenja jete dhe u transportua në spital.

Ka dyshime që dhe kjo e fundit mund të ketë ndërruar jetë, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga policia dhe spitali. Nëna me tre fëmijët jetonin të vetëm, pasi burri ishte emigrant në Greqi.