AKTUALITET, 29 Dhjetor 2018, 09:46

DETAJE/ Mesazhe kundër Krishtlindjeve, kush është shqiptari që u dëbua nga Italia

Autoritetet italiane kanë dëbuar një emigrant shqiptar me banim në Padova, pasi konsiderohej si person i rrezikshëm. Lajmin për dëbimin e shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u bë publik nga Ministria e Brendshme Italiane.

Sipas mediave italiane, dëbimi i Shaban Cacës është bërë me motivin e publikimit të mesazheve kundër festës së Krishtlindjeve në faqen e tij në “Facebook” dhe lidhjeve me imamë të arrestuar në Kosovë për terrorizëm e nxitje të urrejtjes raciale.

Ai është shoqëruar në kufirin shqiptar me ndalimin e hyrjes në territorin italian për 10 vitet e ardhshme, ndërsa thuhet se hetimet ndaj tij janë kryer nga Antiterrorizmi italian i Policisë së Padovës në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës.

Mësohet se së bashku me Cacën është sinjalizuar si person i rrezikshëm dhe një tjetër emigrant shqiptar me statusin e azilkërkuesit. Sipas po të njëjtave burime bëhet e ditur se ai është dorëzuar nën mbikëqyrje speciale në një kamp refugjatësh e vendimi ndaj tij do të merret nga Komisioni për të drejtën e Mbrojtjes Ndërkombëtare.

Në rast se ky Komision vërteton se shqiptari nuk ka të drejtën e mbajtjes së statusit të azilkërkuesit dhe ndaj tij do të lëshohet urdhri i dëbimit nga territori italian.

Ministri i Brendshëm Matteo Salvini ka falënderuar autoritetet policore të Padovës duke u shprehur se “Në Itali nuk ka më hapësirë për këdo që përpiqet të sjellë luftën brenda shtëpisë sonë”.