AKTUALITET, 28 Dhjetor 2018, 22:32

Italianët dëbojnë një shqiptar për lidhje me terrorizmin, një tjetër nën mbikëqyrje

Italianët dëbojnë një shqiptar për lidhje me

Autoritetet italiane kanë dëbuar një emigrant shqiptar me banim në Padova, pasi konsiderohej si person i rrezikshëm. Lajmin për dëbimin e shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u bë publik nga Ministria e Brendshme Italiane.

Sipas medieve italiane, thuhet se dëbimi i tij është bërë me motivin e publikimit të mesazheve kundër festës së Krishtlindjeve në faqen e tij në “Facebook” dhe lidhjeve me imamë të arrestuar në Kosovë për terrorizëm e nxitje të urrejtjes raciale.

Ai është shoqëruar në kufirin shqiptar me ndalimin e hyrjes në territorin italian për 10 vitet e ardhshme, ndërsa thuhet se hetimet ndaj tij janë kryer nga Antiterrorizmi italian i Policisë së Padovës në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës.

Mësohet se së bashku me shqiptarin e dëbuar është sinjalizuar si person i rrezikshëm dhe një tjetër emigrant shqiptar me statusin e azilkërkuesit. Sipas po të njëjtave burime bëhet e ditur se ai është dorëzuar nën mbikëqyrje speciale në një kamp refugjatësh e vendimi ndaj tij do të merret nga Komisioni për të drejtën e Mbrojtjes Ndërkombëtare.

Në rast se ky Komision vërteton se shqiptari nuk ka të drejtën e mbajtjes së statusit të azilkërkuesit dhe ndaj tij do të lëshohet urdhri i dëbimit nga territori italian.

Ministri i Brendshëm Matteo Salvini ka falënderuar autoritetet policore të Padovës duke u shprehur se “Në Itali nuk ka më hapësirë për këdo që përpiqet të sjellë luftën brenda shtëpisë sonë”